“Kufijtë mbeten të hapur në Maqedoninë e Veriut!”

Shpërndaje

Maqedonia e Veriut nuk planifikon shtrëngimin e masave kundër COVID-19, pavarësisht rritjes së numrit të viktimave dhe të të infektuarve me koronavirus. Drejtuesit e institucioneve shëndetësore apelojnë për respektimin e masave në fuqi, që të mos vijnë në situatë për ndërmarrjen e masave shtesë.

Mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura dhe të hapura, nën kushtet e përcaktuara, mbyllja e lokaleve të gastronomisë në orën 18:00 si dhe ndalimi i grumbullimit i më shumë se katër personave pas kësaj ore, janë masat me të cilat Ministria e Shëndetësisë shpreson se do të rezultojnë me sukses në uljen e shifrave të larta me COVID-19.

Filipçe: Kufijtë do të mbeten të hapur!

I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të vendos masa reciproke ndaj shtetasve të Serbisë, respektivisht PCR test negativ për Covid-19 me qëllim hyrjen në vend, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se për momentin nuk ka nevojë për një vendim të tillë.

“Për momentin jo! Mendojmë që kjo nuk përbën rrezik, edhe situata e tanishme tregon se kufijtë e hapur nuk janë rrezik për përkeqësimin e situatës rreth pasqyrës epidemiologjike.

Transmetimi lokal është rreziku kryesorë”, deklaroi ministri Filipçe.