LSDM: Me mijëra amendamente absurde, opozita e zhvlerëson Kuvendin

Shpërndaje

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, përmes një kumtese ka reaguar për amendamentet që opozita ka dorëzuar për punën online të Kuvendit.

“E turpshme dhe e papërgjegjshme është sjellja e opozitës, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Kuvend, për të bllokuar punën e legjislaturës, ndërsa shteti, të gjitha institucionet, punonjësit shëndetësorë, të gjithë qytetarët po luftojnë kundër koronavirusit, derisa kategori të shumtë të qytetarëve, ndërmarrjeve, janë duke pritur për ligje të rëndësishme për të marrë ndihmë nga shteti”, shkruajnë nga partia në pushtet, LSDM.

Nga atje shtojnë se me dorëzimin e qindra, mijëra amandamenteve absurde të ndryshimit të Rregullores dhe të më shumë ligjeve, opozita më së shumti u shkakton dëm qytetarëve, pasi në Kuvend duhet të miratohen zgjidhjet ligjore që t’u ndihmohet pensionistëve, prindërve vetushqyes, kategorive të prekura sociale, të papunësuarve, por edhe kompanive dhe sistemit shëndetësor.

Më tej vazhdojnë duke thënë se deputetët marrin pagë nga paratë e popullit, sepse qytetarët u kanë dhënë atyre besimin për të përfaqësuar interesat e tyre, e jo për të penguar punën e Kuvendit dhe për ta bërë Kuvendin një cirk, një institucion tallës. Nga LSDM po ashtu thonë se destruktiviteti, sjellja anti-shtetërore dhe antikombëtare e opozitës në Kuvend nuk do t’i pengojë qytetarët me shumicën parlamentare të LSDM-së, për të fituar një Kuvend funksional, të dedikuar për interesa të shtetit dhe qytetarëve.