Mandati i deputetit të dënuar/ Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Albin Kurti mund të kthehet kryeministër

Shpërndaje

Seanca e sotme dëgjimore ndikon në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, por ndikon mbi të gjitha edhe në qeverinë Hoti.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Kadri Kryeziu, I ftuar në emisionin “Frontal” në T7, Kryeziu tha se derisa kolegji i gjyqtarëve e konsideron se ka nevojë për seancë dëgjimore, atëherë duhet të ndodhë.

“Ndikon seanca dëgjimore në vendimin përfundimtar, në mënyrë që të ketë sa më shumë fakte, materiale, debate”, tha ai, shkruan Gazeta Express. Tutje, ai tha se rast të ngjashëm si me seancën e sotme nuk ka pasur në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, në rast se fiton Lëvizja Vetëvendosje, situata duhet të kthehet në pikën zero.

Ai shtoi se, Albin Kurti kthehet në pozitën e kryeministrit në detyrë.

“Pika zero nënkupton momenti kur është krijuar Qeveria Hoti dhe duhet filluar prej momentit kur Albin Kurti ka qenë ushtrues detyre.

Sipas mendimit tim, Kurti kthehet në detyrën e kryeministrit në detyrë. Në momentin kur është bërë qeveria e re, Kurti ka qenë kryeministër në detyrë”, u shpreh Kryeziu.

Kujtojmë se, deputeti Etem Arifi, edhe pse i dënuar për korrupsion, për disa muaj e ka shfrytëzuar të drejtën e votës në Kuvendin e Kosovës.

Dënimi me një vit e tre muaj burgim ndaj deputetit të Partisë së Ashkalinjve është bërë i plotfuqishëm në janar të këtij viti çka solli edhe humbjen e mandatit nga ana e tij.