Myftinia e Tetovës njëra nga vendet ku u themelua dhe u bënë mësimet e para të Universitetit të Tetovës

Shpërndaje

Sot më 16.12.2020 (e mërkurë), Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, në hapësirat e Myftinisë priti Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, senatorët, dekanët si dhe studentët, me çka u vendos pllakata me mbishkrimi mirënjohës dhe falënderues në hyrje të Myftinisë, e cila, prej vitit 1994 -2004 i hapi dyert e saj në funksion të Universitetit të Tetovës. Rektori Myftiut i dhuroi edhe portretin e Rektorit historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, bashkë me flamurin e UT-së dhe atë kombëtar, si dhe disa botime të revistave shkencore të UT-së, të cilat muaj më parë janë dërguar edhe në qendrat më të rëndësishme botërore të përkthyera në gjuhën angleze.

Në këtë takim Rektori potencoi vlerën dhe kontributin e pakontestueshëm të Myftinisë së Tetovës, duke e falënderuar edhe Myftiun për bashkëpunimin dhe angazhimin për ngritjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit arsimor, shkencor të Universitetit të Tetovës.

Ndërsa Myftiu i Tetovës e falënderoi Rektorin për bashkëpunimin e dhënë ndërmjet këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme, duke potencuar se Universiteti i Tetovës është vatra e arsimimit, emancipimit të gjeneratave të reja, që ruajti vlerën dhe dinjitetin njerëzor, ngriti dhe zhvilloi mendimin shkencor dhe lirinë akademike. Populli ynë për këtë vatër të dijes flijoi gjëra nga më e vogla e deri te flijimi i vetvetes dhe derdhjes së gjakut. Në emër të këtyre vlerave, Myftiu i Tetovës shprehi mirënjohje dhe falënderime të përzemërta të gjithë atyre që kontribuuan për themelimin dhe të arriturat e derisotme të këtij Universiteti, në veçanti, iu shprehi mirënjohje familjeve që hapën zemrat dhe vatrat e tyre si mësonjëtore për gjeneratat e para të këtij Universiteti. Në të njëjtën kohë, ai u shprehu mirënjohje dhe falënderim hoxhallarëve, ish myftinjëve dhe kolegëve, si dhe te gjithë xhematit, poashtu edhe profesorëve të cilët dhanë gjithçka për themelimin e këtij tempulli të dijes dhe mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor.

Në fund Myftiu tha: Allahu Fuqiplotë të gjithë ata që kanë kontribuar për UT-në dhe nuk jetojnë sot, ti shpërblejë me të mirat e Tij, ata që sot veprojnë në këtë drejtim t’iu jep shëndet dhe suksese edhe më të mëdha, kurse të rinjve që do të vijnë në të ardhmen t’ua mundësojë që të vazhdojnë edhe mē këmbëngulshëm.

Dhashtë Zoti që UT-ja të jetojë sa të jetë kjo botë!

BFI-Myftinia e Tetovës

Myftiu: Prof. Dr. Qani ef. Nesimi