Nagavci: Bashkëpunimi i LVV me Vjosa Osmanin do të jetë i suksesshëm për të dyja palët

Shpërndaje

Bashkëpunimi në mes kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe Lëvizjes Vetëvendosje mund të thellohet me një koalicion në zgjedhjet e reja. Nga Vetëvendosje arsyetohen se ky bashkim vjen sepse kanë qëndrime të njëjta për shumë çështje. Ndërsa analistët thonë se ky bashkëpunim nuk nënkupton afërsinë ideologjike.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani e ka konfirmuar se janë duke biseduar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për të lidhur koalicion për zgjedhjet e reja.

E ky bashkëpunim sipas Arbërie Nagavcit nga Lëvizja Vetëvendosje, po vjen për shkak se të dyja palët kanë qëndrime të njëjtë për shumicën e çështjeve.

“Duke qenë se jemi në të njëjtat linja dhe kemi qëndrime të njëjta për shumicën e çështjeve, ne sigurisht se mirëpresim edhe në të ardhmen bashkëpunimin me zonjën Osmani. Është vendim i zonjës Osmani se si do të vazhdojë me zgjedhjet e reja, por edhe nëse formon parti të re apo listë të saj, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe ky bashkëpunim besoj se do të jetë i suksesshëm edhe për ne edhe për zonjën Osmani”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arbërie Nagavci.

Analisti dhe ish-deputeti Visar Ymeri shprehet se mesazhi që po duan ta përcjellin Osmani dhe Kurti është se po bëhen bashkë një valë e të pakënaqurve kundër atyre që ishin në pushtet, përcjell Telegrafi.

“Konsideroj se kjo mund të shihet në dy aspekte. Në njërën anë me këtë bashkim potencial edhe zonja Osmani edhe zoti Kurti po dëshirojnë të krijojnë një valë të madhe të qytetarëve të pakënaqur të Kosovës që janë kundër establishmentit…Në anën tjetër duke mos pasur një bazament të koherencës ideologjike janë bashkime negative në kuptimin se e dinë kundër kujt janë por nuk e dinë për çka janë. Në këtë kuptim ky do të dëmtonte kualitetin e ndryshimit që do të vinte pas zgjedhjeve”, deklaroi Visar Ymeri.

LDK vazhdimisht e ka akuzuar Vjosa Osmanin për afërsinë e saj me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.