Nga sot fillon pagesa e pensioneve të dhjetorit

Shpërndaje

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informon se pensionet për muajin dhjetor fillojnë të paguhen prej sot, para kohe dhe në mënyrë etapore, me qëllim që të mundësohet mbrojtja më e madhe e pensionistëve në kushte të rrezikut nga koronavirusi KOVID-19.

Tërheqja e pensioneve përmes filialeve dhe ekspoziturave të bankave për pensionistët të cilët nuk shfrytëzojnë kartela do të realizohet në katër grupe, sipas vlerës së pensionit.

Sot do të kryhet pagesa e pensioneve në vlerë deri 11.000 denarë, nesër e martë do të paguhen pensionet në vlerë nga 11.001 denarë deri në 14.000 denarë, të mërkurën do të bëhet pagesa e pensioneve në vlerë prej 14.001 denarë deri 18.000 denarë, ndërsa të enjten 31.12. 2020, pagesa e pensioneve në vlerë mbi 18.000 denarëve.

Pensionistët të cilët përdorin kartelë pagesore, lidhur me llogarinë në të cilën transferohet pensioni, me paratë mund të disponojnë nga e hëna 28 dhjetor. Ata mund ta tërheqin pensionin në bankomate, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesë në rrjetin tregtar ose për pagesa elektronike.