Osmani: Votuesit e LDK-së, i përfaqësoj unë, asaj partie i ka mbetur veç logoja

Shpërndaje

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e fundit thotë se është pikërisht ajo që përfaqëson votuesit e kësaj partie. Osmani doli e dyta në zgjedhje, pas Albin Kurtit.

Osmani thotë se LDK nuk mbajti premtimet, dhe se e vetmja gjë e rëndësishme për lidershipin aktual të partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, është qëndrimi në pushtet.

“Kjo ka qenë zgjidhje e LDK’së apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK’së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi, sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar, me premtime të caktuara dhe që të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur. Të njëjtat qëndrime që i kam mbajtur para tetorit ato të njëjtat qëndroj edhe sot prandaj edhe me besim të plotë e them se e përfaqësoj votuesit e njëjtë”, thotë Osmani për televizionin publik të Kosovës.

“Mirëpo tani është një ekip i njerëzve që e kanë logon dhe e kanë emrin e LDK’së kështu që po flas për ta dhe nuk po flas për strukturat e gjera, nuk po flas për votuesin e LDK’së por për ata që janë arsye që më kanë përjashtuar nga LDK. Nuk ka arsye që me përjashtuesit të ulem dhe të diskutojë sepse kemi qëndrime diametralisht të kundërta, për ata me rëndësi është pushteti për mua është me rëndësi që çdo detyrë që na jep qytetari ta kryejmë me përgjegjësi”, shtoi ajo.

“Ajo parti më ka përjashtuar në një proces ku nuk më kanë lejuar ta them as edhe një fjalë para Këshillit të Përgjithshëm”, thotë Osmani.