PDK ultimatum Hotit: Pranoni kërkesat ose rrëzojmë qeverinë

Shpërndaje

Partia Demokratike e Kosovës, i ka dhënë ultimatum Qeverisë Hoti, që brenda muajit Janar 2021, të plotësohet kërkesat e tyre, për të zgjedhur presidentin e ri, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Një zyrtar brenda Qeverisë Hoti, ka thënë se kërkesat e Partisë Demokratike, janë që brenda Janarit të plotësohen kërkesat e tyre, e nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, PDK do t’ia japë votat Lëvizjes Vetëvendosje, për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Kërkesat e PDK-së, janë që presidenti i ri, t’u takojë atyre dhe pas zgjedhjes së tij, të diskutohet edhe mundësia për përfshirjen e PDK-së në Qeveri.

Nëse postin e presidentit e merr PDK, atëherë kusht i tyre, është që të merr numër të njëjtë të ministrive, ashtu siç i posedon Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, ky kusht i PDK-së për hyrje në Qeveri, është i vlefshëm vetëm nëse iu takon posti i presidentit.

“Ja kanë dhënë afat që brenda muajit Janar, të marrin përgjigje definitive. Ata po kërkojnë që t’u takojë posti i presidentit, e nëse e marrin këtë pozitë, të diskutojnë edhe për përfshirje në Qeveri. Por, përfshirja në qeveri e PDK-së, ndodhë vetëm nëse atyre iu takon posti i presidentit. Kusht i tyre është që të marrin përgjigje brenda muajit Janar. Nëse kjo gjë nuk ndodhë, ata do të mbështesin mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë”, i ka thënë.

E gjithë skena politike, u trondit nga një deklaratë e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt. Ish-kryeministri Haradinaj, akuzoi rëndë PDK-në, duke i quajtur “hajna të klanit pronto”.

Kjo ngjalli reagime të ashpërta nga partia e PDK-së që tani udhëhiqet nga Enver Hoxhaj. Zyrtarët e partisë e quajtën të pabesë dhe të skandaloz, ish-kryeministrin Haradinaj. Kjo pasi që, Haradinaj, me çdo ngulm po dëshiron të marr postin e presidentit të vendit. Kandidaturën e Ramush Haradinajt, nuk po e përkrahin për veç PDK-së, as Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme, e tha qartë që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi nuk po mund të arrihet konsensus për gjetjen e një emri për president.

“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, u shpreh Mustafa.

Në anën tjetër, kundër zgjedhjes së presidentit të ri dhe që vendi automatikisht duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, po shprehen zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë bërë të ditur se në asnjë formë nuk do të jenë pjesë e zgjedhjes së presidentit të ri, pa shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme.