Rama publikon sot emrin e ministrit të ri, ja kush mund të jetë…

Shpërndaje

Kryeministri Rama pritet të bëjë sot publik emrin e ministrit të ri të brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt. Burime pranë Kryeministrit thanë se mundet që në krye të ministrisë së Brendshme të emërohet një nga ministrat e kabinetit, por ende nuk ka një emër.

Mësohet se një nga emrat më afër postit të ministrit të Brendshëm, është ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, por kjo do të mësohet sot, kur vetë Kryeministri do të bëjë publik emrin që do të zëvendësojë Sandër Lleshajn në këtë detyrë. Burime thanë gjithashtu se ministri i ri i Brendshëm do të jetë ose një figurë e lartë politike, ose një figurë e nivelit të dytë në ekzekutiv, që më shumë do t’i ngjante një ministreje teknike, më pak e atakueshme politikisht. Nëse do të vendoset për një emër të tillë, mësohet se Kryeministri Rama mund të propozojë emrin e Elira Kokonës, e cila aktualisht mban postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë.

Pak ditë më parë, Kryeministri Rama është konsultuar me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin, profilin e ministrit të ri të Brendshëm, i cili do të zëvendësojë Sandër Lleshajn pas dorëheqjes së dhënë. Kreu i qeverisë ishte në zyrën e Kryetarit të Kuvendit mesditën e së premtes, me të cilin ka ndarë mendimet se në ministrinë e Brendshme duhet të shkojë një figurë e pakonsumuar në ekzekutiv, i cili nuk do të ketë ngarkesën e drejtimit më parë të një dikasteri.

Nuk kanë munguar këto ditë edhe emra të tjerë si kandidatë të mundshëm, si sekretari organizativ në PS, deputeti Arben Pëllumbi, apo ai i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por edhe ai i Pandeli Majkos./Panorama