Roth: Bullgaria po e mban peng zgjerimin e BE-së

Shpërndaje

Sofja nuk mund të mbajë peng zgjerimin e Bashkimit Evropian, porosit ministri gjerman për Evropën, Mihael Rot në tekstin autorial për gazetën “Velt”.

Rot pret mbështetje nga administrata e re amerikane për të lëvizur Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, transmeton Dojçe Vele.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në rrugën e tyre drejt BE-së kanë arritur shumë, përmbushën një agjendë ambicioze të reformave dhe nuk lejuan që të ndaleshin nga pengesa të ndryshme. Duke zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë, Maqedonia e Veriut ka bërë histori në kuptimin e vërtetë të fjalës. Prandaj, drita e gjelbër për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte hapi i duhur dhe i domosdoshëm. Konferencat ndërqeveritare me të dy vendet tani duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi të plotësohen kushtet. Gjermania e mbrojti fuqishëm këtë gjatë presidencës së saj në BE-në”, shkruan Rot.

Ai thotë se “BE-ja duhet të plotësoj premtimin dhe të bëj porosinë” dhe se Bullgaria nuk mund të imponojë kërkesat e saj bilaterale në nivelin evropian.

“Procesi i pranimit nuk duhet të vonohet për një kohë të pacaktuar, sepse një anëtar i vetëm i BE-së e bën atë peng të kërkesave të veta bilaterale”, shkroi Rot.

Ministri gjerman tha se duheshin urgjentisht sinjale pozitive për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se “nuk është në rrezik asgjë më pak se besueshmëria e BE-së”.

“Lidhja e ngushtë me Ballkanin Perëndimor është në interesin tonë më të madh strategjik. Përndryshe, do të ketë aktorë të tjerë që nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta me vlerat tona. Ne nuk duhet ta lejojmë atë në një botë ku jemi në konkurrencë me forcat autoritare”, tha ai.

Rot paralajmëron se nëse BE-ja nuk arrin të përmbush premtimet e saj për Ballkanin Perëndimor, atëherë ajo nuk mund të profilizohet as si një lojtar global. Në këtë drejtim, ai pret mbështetje nga administrata e re amerikane.

Administrata e re amerikane do të presë që ne të marrim përgjegjësi më të madhe në fqinjësinë tonë. Zgjedhja e Xho Bajdenit si president i SHBA-së ofron një shans për të punuar përsëri së bashku dhe vendosmërisht për lirinë, pajtimin dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor, shkruan Mihael Rot në artikullin autorial për “Velt”./koha