Rruga integrimit kalon përmes Sofjes! Osmani nesër në takim me homologun e tij austriak

Shpërndaje

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian kalon nëpërmjet Sofjes dhe jo me lobim nëpër kryeqytetet evropiane e me presion mbi Bullgarinë. Kështu ka deklaruar presidenti bullgar Rumen Radev në një intervistë për një radio bullgare. Sipas tij pozicioni bullgar drejt Maqedonisë është objektiv dhe i mirë, i miratuar me konsensus në parlamentin bullgar, por për fat të keq nuk është promovuar mirë në BE.

“Ne tani kemi pozitë absolutisht të bashkuar me Qeverinë sa i përket temës me Maqedoninë e Veriut. Duhet të jemi të bashkuar deri sa vëllezërit tanë nuk e kuptojnë se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë e gjatë me lobim në kryeqytete evropiane dhe presion mbi Bullgarinë. Rruga drejt BE-Së, ashtu siç i kam thënë edhe presidentit Stevo Pendarovski edhe të dërguarit special Vllado Buçkovski, kalon nëpërmjet Sofjes”, tha Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Marrëveshja për fqinjësi të mirë e 2017-së nga ana bullgare është e mbushur me naivitet qëllim-mirë, por nuk përmbushi vullnetin e kërkuar. Prandaj kam propozuar një aneks, por sipas tij qeveria bullgare me vonesë vendosi “vijat e kuqe”, ka thënë Radev.

Ndërkohë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani nesër do të takohet me homologun e tij austriak, Aleksandër Shallenberg dhe Ministren e Bashkimit Evropian dhe Kushtetutës së Republikës së Austrisë, Karoline Edshtadler.

“Fokusi i takimeve pritet të jetë në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa do të shkëmbehen mendime mbi marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale politike dhe ekonomike – tregtare. Ministrat gjithashtu do të diskutojnë edhe për situatën e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet me fqinjët, bashkëpunimin rajonal, si dhe për çështje të tjera aktuale rajonale dhe ndërkombëtare”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, do të shqyrtohen edhe përpjekjet, bashkëpunimi dhe koordinimi midis dy vendeve në trajtimin e sfidave të pandemisë. Ndërkohë dje kryeministri Zoran Zaev deklaroi se Maqedonia mbetet e përkushtuar për t’i zgjidhur çështjet me Bullgarinë, por nuk e di cili është problemi dhe se çfarë kërkon Bullgaria./TV21