Shkup, ateroi aeroplani i parë nga Kievi

Shpërndaje

Me ceremoninë tradicionale të mirëseardhjes për fluturimin e parë që sot transportoi 50 udhëtarë nga Kievi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, TAV Maqedoni shënoi hapjen e linjës së re ajrore të rregullt Kiev – Shkup, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Bllagoj Boçvarski, theksoi se linja ajrore Kiev-Shkup është vetëm një konfirmim i bashkëpunimit të mirë me Ukrainën.

“Ne besojmë se vendosja e kësaj linje ka një rëndësi të madhe për dy vendet, pasi hap mundësi të shumta për rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, turizmit, kulturës, investimeve dhe fushave të tjera me interes të përbashkët”, tha Boçvarski, duke shtuar se kjo përkon me përcaktimet qeveritare për të siguruar kushte për tërheqjen e investimeve të huaja.

Drejtori i Përgjithshëm i TAV Maqedoni, Metin Batak, tha se linja e re ajrore e rregullt Kiev-Shkup nuk është vetëm hapi i parë pozitiv drejt rimëkëmbjes së trafikut ajror maqedonas gjatë pandemisë COVID-19, por gjithashtu shënon një sukses historik për aviacionin vendas, sepse Maqedonia e Veriut dhe Ukraina për herë të parë në histori janë të lidhur me një linjë ajrore.

“Edhe pse jemi në një kohë krize, tregu maqedonas është një fitues sot dhe ne i jemi mirënjohës ndaj kompanisë ‘Windrose’ për vendimin e tyre. Ne shpresojmë që Kievi si një destinacion i ri do të jetë tërheqës për udhëtarët nga Maqedonia e Veriut dhe vendet fqinje, dhe se ata do të shfrytëzojnë rastin për të vizituar këtë qytet të bukur që shtrihet përgjatë lumit Dnipro, i cili është i pasur me kulturë dhe histori, ndërsa qytetarët ukrainas do të kenë mundësinë të zbulojnë bukuritë natyrore të Maqedonisë së Veriut”, tha Batak.

Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalia Zadorozhnyuk, shprehi kënaqësinë për hapjen e linjës së drejtpërdrejt ajrore, duke shtuar se ekziston një forcim i ndjeshëm i marrëdhënieve dypalëshe.

Linja ajrore e kompanisë ukrainase “Windrose” do të zhvillohet me dy fluturime në javë nga Kievi në Shkup, të enjten dhe të dielën.

Sipas njoftimeve, fluturimet nga Kievi në Shkup do të funksionojnë gjatë gjithë sezonit të dimrit, si dhe gjatë sezonit veror të vitit 2021, i cili fillon në fund të marsit.

Përveç faktit se kjo është linja e parë ajrore midis Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, Kiev është gjithashtu destinacioni i parë që lidh drejtpërdrejt Shkupin me Evropën Lindore, pasi deri më tani linjat ajrore ishin përqendruar kryesisht në Evropën Perëndimore dhe Veriore, si dhe në Evropën Jugore, Turqi dhe Lindjen e Mesme.