Strugë, shumica e fshatrave pa kanalizime të ujërave të zeza

Shpërndaje

Pjesa më e madhe e ujërave të zeza në fshatin Ladorishtë të Strugës derdhen në gropa septike. Një gjë e tillë rrezikon Liqenin e Ohrit, por edhe tokën bujqësore në rajon. Edhe pse tubacioni kryesor i sistemit të kolektorit për pastrimin e ujërave të zeza është vetëm tre kilometra larg fshatit, megjithatë ende nuk ka zgjidhje.

Për shkak të këtyre problemeve, disa banorë kërkojnë zgjidhje alternative, që gjithashtu nuk janë ekologjike.

Përndryshe, ekziston një projekt i gatshëm për lidhjen e amvisërive me kolektorin dhe kanalizimin lokal që do i përfshinte edhe fshatrat Zagraçan, Teferiç dhe Shum, por nuk ka para. Drejtori i ri i “Ujësjellësit dhe Kanalizimit – Strugë”, Dashmir Nasufi, na tha se ishte pjesërisht i njohur me problemin dhe se duhet të njihet më hollësisht për këtë. Vlerësohet se më pak se gjysma e ujërave të zeza në rajonin e Strugës përfundojnë në sistemin e kanalizimit, ndërsa në pjesën nga Radozhda në Strugë në sistemin e kanalizimit janë përfshirë vetëm 15% e popullatës.