“The Economist”: Regjistrimi do të nxjerrë 1.5 milionë banorë

Shpërndaje

Edhe pse në statistikat e fundit, prej 20 vjet më parë, figuron e dhëna se rreth dy milionë banorë jetojnë në Maqedoni, analistët e revistës britanike vlerësojnë se shifrat e tyre të parashikuara, nëse konfirmohen nga regjistrimi, nuk do t’i shqetësojnë autoritetet e Maqedonisë. “The Economist” parasheh që rezultatet nga regjistrimi do të tregojnë se numri i banorëve në Maqedoni është rreth 1.5 milion.

Shkup, 28 dhjetor Edicioni vjetor i të përjavshmes britanike “The Economist”, i titulluar “Bota në vitin 2021”, parasheh sfidat me të cilat do të ballafaqohet bota gjatë vitit të ardhshëm. Analizat në këtë edicion të së përjavshmes përqendrohen në temat globale në lidhje me luftërat për vaksinat kundër Covid-19, rimëkëmbjen e përzier ekonomike, arnimin e kaosit të ri botëror, tensionet mes Kinës dhe botës perëndimore, përshpejtimin e aplikimit të sjelljes teknologjike, kufizimet në botën e lirë për shkak të pandemisë…, shkruan gazeta KOHA.

Megjithatë, në pjesën kushtuar Ballkanit, “The Economist” konstaton se në Maqedoni në vitin 2021, pas 19 vjetësh – përfundimisht do të realizohet Regjistrimi, operacion statistikor shumë i rëndësishëm për parashikimet ekonomike. Në analizën e vet, “The Economist” parasheh që rezultatet nga regjistrimi do të tregojnë se numri i banorëve në Maqedoni është rreth 1.5 milion. Edhe pse në statistikat e fundit, prej 20 vjet më parë, figuron e dhëna se rreth dy milionë banorë jetojnë në Maqedoni, analistët e revistës britanike vlerësojnë se shifrat e tyre të parashikuara, nëse konfirmohen nga regjistrimi, nuk do t’i shqetësojnë autoritetet e Maqedonisë.

“Që nga rënia e komunizmit dhe fundi i luftës së përgjakshme jugosllave, njerëzit në Gadishullin Ballkanik kanë më pak fëmijë, ndërsa shumica janë shpërngulur. Largimi i njerëzve të mençur u ndihmua nga pjesë të Evropës të etur për punëtorë, siç është Gjermania, me çka u kanë lehtësuar shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së të marrin leje pune. Fakti që askush nuk di saktësisht se sa njerëz janë larguar, dhe sa kanë mbetur u krijon probleme planifikuesve në vendet ballkanike. Maqedonia e Veriut nuk ka realizuar regjistrim që nga viti 2002. Që atëherë, Enti për statistika bindshëm ka bërë projekte të bazuara në gjendjet e dikurshme në vend. Statistikat vlerësojnë se në Maqedoninë e Veriut momentalisht jetojnë 2.08 milionë banorë, por numri real mund të jetë rreth 1.5 milion. Në disa vende, siç është Bullgaria, numrat janë të azhurnuara, por pavarësisht nëse numrat janë të besueshme ose jo, tendencat edhe më tutje janë të njëjta. Kombinimi i imigrimit dhe nataliteti i ulët tregojnë se këto shoqëri po plaken, me mosekzistimin e migrimit ndaj këtyre vendeve, numri i popullatës po ulet”, shkruan “The Economist” në analizën e vet vjetore në lidhje me regjistrimet e popullatës që parashihet të mbahen në vendet e rajonit në vitin 2021, transmeton koha.mk.

Edicioni vjetor i “The Economist”, i cili del zakonisht në prag të Vitit të Ri, është një udhëzues i llojit të vet për tendencat politike dhe ekonomike në vitin që vjen. Ky edicion vjetor përqendrohet në pritjet e inaugurimit presidencial në SHBA, liderin e ri të Gjermanisë… Kuptohet edhe në reagimin e botës, nga sfera e biznesit, politikës, ekonomisë dhe mjekësisë, në lidhje me sfidat nga pandemia e Covid-19.

“Bota në vitin 2021” është një lloj pasqyre për të ardhmen nga gazetarë, analistë, burrështetas, politikanë eminent dhe me renome, ndërsa në kuadër të seksionit të revistës për Maqedoninë mund të lexohen intervistat me kryeministrin, ambasadorët dhe biznesmenët.