Dështon votimi i Ligjit për regjistrimin!

Shpërndaje

Në mungesë të 61 deputetëve në sallë, Kuvendi dështoi që të mbajë seancën e 30-të.

Në rend dite ishte ligji për ilaçe dhe interpelanca e zëvendëskryeministrit Dimitrov, por krahas kësaj dështoi edhe votimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë. Kjo sepse ishte paraparë që nëse do të ishin numrat e mjaftueshëm për shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, Kryetari të kërkonte të hapet seanca e 29-të, ku e vetmja gjë që ka mbetur është votimi i Ligjit për Regjistrim. Por 61 deputetë nuk ishin në sallë. Nga numërimi u konstatua se të pranishëm janë vetëm 59.

Kryeparlamentari tregoi se 7 deputetë e kanë informuar se nuk mund të marrin pjesë në seancë. 1 deputet i shumicës është pozitiv me korona, ndërsa një tjetër po pret rezultat të testit.

“Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e kur them VMRO-DPMNE, flas edhe për Aleancën dhe Alternativën dhe “Të Majtën” sepse siç bën VMRO-DPMNE-ja, ashtu bëjnë edhe ato. Nuk marrin pjesë që të mos mundemi të fillojmë me punë”, tha Jovan Mitreski – deputet i LSDM-së.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tregoi se opozita është brenda Kuvendit, por nuk janë të pranishëm në sallë si formë revolte se pse 2 propozime për ligje janë me flamurin evropian, ndërsa sipas tij, nuk kanë lidhje me të.

“Me 62 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, në tempullin e demokracisë, silleni sikur të keni 100 deputetë, ndërsa gjendja nuk u është kështu edhe me numrin e deputetëve në Kuvend”, theksoi Nikolla Micevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit pas disa thirrjesh, konstatoi se nuk përmbushet kushti për të vazhduar më tej.

“Thërras deputetët të futen në sallë…

Qytetarë të nderuar unë nuk kam zgjidhje tjetër, procedurale dhe sipas Rregullores, përveç se të konstatoj se nuk ka kushte për punë sepse deputetët, siç thanë edhe vetë, janë brenda në Kuvend, janë nënshkruar, janë të pranishëm në Kuvend, refuzojnë të hyjnë në sallë…”, potencoi Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Por para se Xhaferi të sjellë këtë konstatim, jashtë Kuvendit, koordinatori i grupit parlamentar të opozitës shqiptare, Skender Rexhepi, pohoi për TV21 se po Kryetari i Kuvendit u ka thënë se nuk janë numrat e mjaftueshëm për seancë, andaj edhe opozitarët e ASH-AAA u larguan.

“Nga ora 10.30 ne si grup parlamentar ishim në zyrat e koordinimit dhe pritëm që të fillojë mbledhja, që së paku ligji për regjistrim të kalojë. Tash para pak kohësh marrim vesh nga kryetari i Kuvendit se nuk ka numra dhe me ne nuk bëhen numrat e mjaftueshëm për të votuar kështu që mbledhja do të shtyhet për ditë të radhës”, deklaroi Skender Rexhepi – deputet i AAA-ASH.

Më vonë këtë e konfirmon edhe deputeti tjetër i opozitës shqiptare, Syrja Rashidi.

TV21: Kur ishte momenti kur vendosët për të shkuar? A kishte një komunikim paraprak?

“Atëherë kur na u konfirmua nga vetë kryetari I parlamentit se nuk arrin dot të bëjë shumicën, andaj dhe ne nuk kemi nevojë të presim”, u shpreh Syrja Rashidi – deputet i ASH-AAA.

Opozita shqiptare hapur ka deklaruar se do ta mbështesë ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, ndonëse kanë kritikat e tyre, të cilat do t’i thonë edhe në seancën e votimit.