Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen me Pfizer

Shpërndaje

Kuvendi i Shqipërisë sonte ka miratuar Aktin Normativ për marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin me vaksinën Pfizer. Të tri aktet normative kanë marrë 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

Kjo marrëveshje i hap rrugën dërgesës së parë të vaksinave nga Pfizer në Shqipëri, ndërsa vaksinimi në Shqipëri ka tashmë 1 javë që ka filluar, pasi iu dhuruan 975 vaksina nga një vend i BE, emri i të cilit nuk bëhet publik.

“Me votimin sot hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes, kur kam thënë se doza e parë do vijë brenda janarit, dhe pastaj do marrim të gjithë sasinë e dakordësuar dhe mund të porosisim një sasi tjetër edhe direkt nga Pfizer. Ne jemi të përgatitur. Qëndra e vaksinimit në Tiranë është hapur dhe po funksionon, të shtrihet në Shkodër, Vlorë e më tej që aksesi jo vetëm i njerëzve të shëndetësisë por dhe i moshave të tjera të jetë sa më i lehtë. Pastaj në proces do bëhet degëzimi i gjithë linjave të infrastrukturës së vaksinimin për ta çuar në Çdo qark që të realizojmë skenarin ambicioz për 14 muaj. Vaksinimi ka dy efekte, ai i drejtpërdrejtë të personi dhe këputja e zinxhirit”, tha kryeministri Rama.