LVV dorëzon ankesën në Supreme, shprehet optimiste se vendimi do të jetë në favor të tyre

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme, pas vendimit të fundit të PZAP-së lidhur me mos certifikimin e pesë kandidatëve të saj për deputetë në mesin e të cilëve është edhe Albin Kurti.

Anëtari i LVV-së dhe përfaqësuesi ligjor, Blerim Sallahu tha se kanë kundërshtuar vendimin e PZAP-së, pasi sipas tyre nuk ka asnjë bazë kushtetuese.

“Ne e kemi kundërshtuar vendimin e PZAPs-së, lidhur me atë se që një normë ligjore e vë si kriter kushtetues. PZAP deklaron pa asnjë bazë kushtetuese se neni 29 paragrafi 1 pika Q është normë kushtetuese, ju e dini se amendamentet kushtetues bëhen në Kuvendin e Kosovës, dhe as Gjykata Kushtetuese dhe as PZAP nuk mund të vë si normë kushtetuese një kriter ligjor për arsye se amandamentimi bëhet vetëm nga Kuvendi”, u shpreh Sallahu.

Sallahu është shprehur i bindur se këta pesë kandidatë do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Gjykata Supreme do të merr vendim në favor të LVV-së sepse kanë argumente të mjaftueshme për këtë. Kodi Penal mbi të cilën i janë shqiptuar dënime kandidatëve tanë s’përbën asnjë efekt juridik, dhe ne besojmë që kandidatët tanë do të certifikohen duke ditur edhe profesionalizmin që ekziston në Gjykatën Supreme”, ka thënë Sallahu.

Sallahu i pyetur për veprimet që do t’i ndërmarrin nëse nuk certifikohen kandidatët, ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë të ndodh, pasi sipas tij, Supremja do të vendos në favor të tyre.

Por, ai se ka përjashtuar mundësinë e ankesës edhe në Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.