MPB-ja kundërshton ndryshimet në Ligjin për shtetësi të propozuara nga opozita shqiptare

Shpërndaje

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kundërshton propozimin-Ligjin për shtetësi të dorëzuar nga partitë opozitare shqiptare në Kuvend. Dikasteri i Brendshëm, në mendimin e tij të cilin e ka siguruar Alsat ka kundërshtuar dispozitat kontestuese në ligjin ekzistues për të cilat opozita kërkonte zgjidhje afatgjate e që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë.

Kundërshtohet propozimi që përmes deklaratave të tre dëshmitarëve, qytetarët të cilët jetojnë nga 8 shtatori i vitit 1991 në Maqedoni të Veriut e që më herët kanë jetuar në njërin nga shtetet e Ish Republikës Jugosllave pas miratimit të ligjit të mund të aplikojnë për shtetësi mbi bazën e njohjes së shtetësisë, ose si rezultat i procesit të natyralizmit.

Nuk janë definuar qartë disa aspekte si:

mënyra e marrjes së shtetësisë, përkatësisht pretendohet konstatimi i statusit shtetas ose përfitimi i shtetësisë si rezultat i natyralizimit brenda shtetit.
Dallimi mes tyre është përmbajtjesorë: konstatimi nënkupton shtetësi nga momenti i lindjes, ndërsa natyralizimi nënkupton proces nga dorëzimi i vendimit për shtetësi.
Nuk janë definuar qartë kategoritë e personave në normat e përfshira, pasi me përcaktimin “të ketë jetuar” nga 8 shtatori 1991 pa saktësimin e periudhës mund të interpretohen ditët, muajt dhe vitet;
Nuk janë definuar kushtet për shtetësi dhe rëndësia e dëshmive për plotësimin e kushteve sipas ligjit – thonë nga MPB-ja.

MPB hedh poshtë edhe shkurtimin e periudhës së natyralizimit. Opozita kishte propozuar që përudha “8 vite” të shkurtohet në “4 vite” por sipas policisë ky parakusht thirret në Konventën Evropiane për Shtetësi dhe se në vitin 2004 kjo periudhë është zvogëluar nga 15 në 8 vite.

Marrja e shtetësisë paraqet shkallën më të lartë të integrimit në shoqëri i cili paraprakisht duhet të ketë vendqëndrim të përhershëm në shtet. Me pranimin eventual të këtij ndryshimi të propozuar, kushti për marrjen e shtetësisë në RMV ulë poshtë kushtet për përfitimin e vendqëndrimit (5) dhe mund të sjell implikime në Ligjin për të huajt – Mendimi i MPB-së.

Është hedhur poshtë edhe abrogimi i dispozitës nga Ligji për shtetësi e cila i merr statusin shtetas qytetarit i cili ka shtetësi dhe më pas konstatohet se prindërit e tij nuk kanë shtetësi të Maqedonisë por janë shtetas të huaj. Kjo dispozitë sipas MPB-së nuk le pa shtetësi fëmijët nën moshën 15 vjeçare dhe nuk përfshin personat të cilat nuk mund të kenë shtetësi tjetër përveç asaj të Maqedonisë së Veriut.

Kundërshtohet edhe njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare në vend. Sipas MPB-së intenca e bazuar në Ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk është e qartë dhe nuk janë dhënë argumente të forta për zbatimin e saj në praktikë. Madje arsyetimi i tyre është sa jo Kushtetues aq edhe diskriminues, pasi sipas tyre njohja e një gjuhe tjetër zyrtare, në këtë rast shqipen, rrezikon motivimin e shtetasve nga Shqipëria dhe Kosova për të aplikuar për shtetësi në Maqedoni të Veriut.

Për dallim nga gjuha maqedonase, gjuhët e tjera zyrtare të përdorura në RMV janë gjuhë të shteteve të tjera dhe të huajt nga ato shtete do të gjenden të favorizuara para plotësimit të kushtit gjuhësor – Mendimi i MPB-së.

Në mendimin e Ministrisë së Brendshme është kundërshtuar edhe propozimi për trashëgimin e statusit shtetas në bazë të përfitimit të saj falë brezit të parë. Opozita kishte propozuar që shtetësia t’i takon edhe në bazë të brezit dytë, por sipas policisë kjo do të ndikonte që shtetasit e IRJ-së që sot jetojnë në republika tjera, të kenë të drejtën e shtetësisë në Maqedoni të Veriut, duke aluduar këtu në shtetasit nga Kosova, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia por edhe shtetasit e shpërngulur në Turqi.
Nuk pranohet as lehtësimi i procedurave për marrjen e shtetësisë përmes martesave. Sipas policisë kjo bëhet për shkak se politikat shtetërore nuk lejojnë që pa plotësimin e kushteve si posedimi i pasurisë së patundshme (shtëpi ose banesë) dhe mjete për ekzistencë të mos ndikohet në rritjen e rasteve sociale.

Mendimi i MPB-së i thirrur në datën 28 dhjetor 2020, mësohet të ketë rënë edhe në Komisionet Qeveritare, ndërsa jo zyrtarisht i njëjti pritet të rrëzohet edhe në mbledhje të Qeverisë. Ligji për shtetësi i propozuar nga koalicioni opozitar ASH-AAA ndodhet në procedurë parlamentare, ndërsa partitë politike në pushtet kishin deklaruar se të njëjtin do ta mbështesin. Kundër ligjit dolën vetëm VMRO-DPMNE-ja dhe partia E Majta./ALSAT/