Ndërroi jetë veprimtari Sejdin Lloga, bashkë me shokë ngriti flamurin shqiptar në Strugë në vitin 1968!

Shpërndaje

Ka ndërruar jetë në moshën 89 vjeçare, veprimtari dhe patrioti i shquar nga Livadhia e Strugës, Sejdin Lloga. I lindur më 6 Tetor të vitit 1931 në Livadhi të Strugës, Sejdin Lloga është ndër nxënësit e parë të këtij fshati gjatë periudhës së hapjes së shkollave të para shqipe në territorin e Strugës. I rritur në frymë liridashëse, në një familje me taban kombëtar, Sejdini nuk mundi të mos marrë pjesë në aktivitetet e kohës në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Për një periudhë ka qënë mësues në shkollën e fshatit Tatesh. Ishte djali i madh i Sami Llogës, një tjetër veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, me kontribut të jashtëzakonshëm në hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe në rrethin e Strugës. Sejdin Lloga ishte vëlla i të ndjerit Aliriza Lloga, mësues, deputet dhe veprimtar i dalluar. Ka qenë pjesëmarrës në vënien e gurëthemelit të lapidarit të Shqiponjës në qytetin e Strugës në vitin 1943, ku si nxënës ka kënduar himnin e flamurit. Ky ka qenë një nga momentet kyçe në veprimtarinë e mëtejme të Sejdin Llogës.