Shkupi dhe Tirana në pako drejt BE-së

Shpërndaje

Brukseli mbetet i vendosur që negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian t’i fillojë njëkohësisht me dy vendet kandidate “në paketë”, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe jo t’i ndajë ato. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero inkurajon Shkupin e Sofjen të gjejnë zgjidhje për kontestin, por pa saktësuar nëse BE-ja do të merr ndonjë nismë në këtë drejtim.

“Komisioni pret t’i mbajë konferencat e para ndër-qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë të jetë e mundur. Në mënyrë që konferencat të mbahen, Këshilli duhet të merret vesh për Kornizat negociuese. Kjo është në duar të Këshillit. Për momentin, nuk ka datë të caktuar për fillimin e negociatave me asnjërin prej vendeve. Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë përpjekjet e tyre për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e hapura- deklaroi Ana Pisonero, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Qeveria thotë se po punon me Qeverinë e Sofjes në harmonizimin e një plani të unifikuar aksionar dhe siç thekson, puna mund të fillojë menjëherë për pika të caktuara, si infrastruktura, sporti, arsimi dhe të tjera.

“Qeveria mbetet e përkushtuar në dialogun me Qeverinë bullgare dhe në kërkesën për zgjidhje të përbashkët të pranueshme. Jemi të gatshëm të sqarojmë dilema të caktuara nëse ka nevojë për këtë, por pozicionet janë të njohura publikisht: për identitetin maqedonas, popullin dhe gjuhën nuk është negociuar dhe nuk do të negociohet. Njëkohësisht apelojmë të mos hymë në rrethin e ofendimeve dhe gjuhës së urrejtjes.”

Ekspertët vlerësojnë se “zhurma” e Sofjes do të shuhet pas zgjedhjeve të pranverës, por vetëm nëse problemi është vetëm i Bullgarisë. Por sipas tyre ka mundësi që pas Sofjes të qëndrojë Parisi dhe shtetet të tjera anëtare të BE-së, të cilat janë kundër zgjerimit të Unionit.

“Nëse jemi të vetëdijshëm se as 2/3 e qytetarëve të BE-së momentalisht nuk e mbështesin zgjerimin, është shumë reale se pas kësaj politike të Sofjes qëndron Parisi. Fakti se jo vetëm Maqedonia por as Shqipëria nuk fillojnë negociatat, dëshmon se BE-ja nuk është gati t’i integrojë vendet nga Ballkani Perëndimor. Por le të shpresojmë për skenarin e parë. Fuqishëm dëshiroj që ky të jetë vetëm problem i Sofjes zyrtare, por do ta shohim çka do të ndodhë pas formimit të Qeverisë së re bullgare- pohoi Nikolla Dujovski, Profesor universitar.

Sofja po e kushtëzon fillimin e negociatave mes Shkupit e BE-së ndër tjerash me heqjen dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari, përdorimin e formulimit gjuhësor sipas Marrëveshjes së vitit 2017-të dhe harmonizimin e një plani aksionar për zbatimin e paktit të 2017-tës.