“Shtetësia”, Sela përgënjeshtron Ahmetin: Janë me mijëra qytetarë dhe shumica janë shqiptarë

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela në emisionin “Enter” në TV SHENJA, duke folur për problemin me nënshtetësinë që kanë shqiptarët ka deklaruar se platforma e opozitës “Shtetësia” ka qëllim që qytetarët të tregojnë hallin e tyre me mospasjen e shtetësisë.

“Kjo është tmerr për një shtet që donë të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa BE është një grupim që mbron të drejtat e qytetarëve. Duhet të del në shesh kjo e padrejtë që bëhet për qytetarët të cilët janë me mijëra, në të shumtën e rasteve këto janë të bashkësisë etnike shqiptare. Njerëz që lindin, rriten dhe vdesin dhe që nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre”, deklaroi Sela.

Ai tha se koalicioni ASH-AAA kanë premtuar gjatë zgjedhjeve se do të luftojnë për të siguruar këtë të drejtë qytetarëve.

Sela u shpreh se kjo është një temë e cila nuk duhet të vonohet dhe të zgjidhet.

“Nuk kam besuar se edhe kjo gjeneratë e politikanëve maqedonas do të vazhdojnë dhe të sillen me këtë mendësi”, u shpreh Sela.

Kohë më parë në intervistë për Tv Globi, lideri i BDl-së Ali Ahemti kishte thënë të kundërtën që pretendon lideri i opozitës shqiptare. Sipas Ahemtit në RMV ka rreth 3.500 qytetarë pa shtetësi, dhe shumica janë rom.

Ndërkohë, zv.ministri i MPB-së, Nzim Bushi i cili vjen nga radhët e BDl-së, për një media tha sot se janë gjithsej 2674 qytetarë për momentin presin për marrje të shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. 1800 prej këtyre aplikimeve gjenden në Agjencinë për Siguri Kombëtare, ku po bëhen kontrolle të sigurisë.

Në 4 vitet e fundit, periudhën 2017-2020, sipas të dhënave të MPB-së, gjithsej janë dhënë 2671 përgjigje pozitive për shtetësi. Aplikuesit më të mëdhenj janë shqiptarë.

Shqiptarë
2017 – 527
2018 – 546
2019 – 439
2020 – 859

Maqedonas
2017 – 87
2018 – 60
2019 – 3
2020 – 150