Vetëvendosje prezanton kandidatin e tretë për zgjedhjet në Shqipëri

Shpërndaje

Tiranë, 31 janar – Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Shqipëri, do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, që do të mbahen në këtë vend.

Lëvizja ka prezantuar deri më tash tre kandidatë që do të garojnë në tri qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Para dy javësh, Vetëvendosje prezantoi Bojken Abazin si kandidat në Qarkun e Tiranës dhe aktivistin Iliaz Shehu në atë të Lezhës. E të dielën, VV-ja në Shqipëri prezantoi kandidatin e tretë për zgjedhjet parlamentare të pranverës.

Vetëvendosje në Shqipëri do të kërkojë përfaqësim në parlament për Qarkun e Gjirokastrës nëpërmjet arkitektit dhe specialistit të trashëgimisë kulturore, Kreshnik Merxhani.

“Pasi kemi njoftuar dy kandidatët tanë për Qarkun e Tiranës dhe të Lezhës, Bojken Abazi dhe Iliaz Shehu, po prezantojmë kandidatin tjetër, për Qarkun e Gjirokastrës, z. Kreshnik Merxhani, i cili bashkëpunon prej disa vjetësh me VV-në në Shqipëri. Kandidatët tanë janë njerëz që me vlerat e tyre shoqërore e profesioniste, do të sjellin një pikëpamje tjetër për mënyrën se si bëhet politikë. Sa më të vendosur në mbrojtje publike të çështjeve të politikës, aq më të qenësishme janë subjektet politike. Ne e dimë mirë sa i rëndësishëm është përfaqësuesi në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj nuk synojmë të sjellim të ‘fortin e lagjes’, por propozojmë emra dhe njerëz të ditur për Kuvendin, vendin dhe lagjen”, thuhet në deklaratën e VV-së për mediat.

Është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje merr pjesë në zgjedhjet në Shqipëri dhe qysh në herën e parë pritet të përballet me telashe.

Kreu i saj në Shqipëri, Bojken Abazi, mund ta ketë fatin e kreut të VV-së në Kosovë, Albin Kurti. Ndërsa partitë politike pritet që të nisin hartimin e listave të kandidatëve, Kuvendi I Shqipërisë pritet të diskutojë mbi rregullat e ndalimit të kandidimit dhe zgjedhjes së një funksionari të lartë publik.

Kosova bashkë me shtatë vende të tjera: Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina do t’i shtohen listës së vendeve jashtë territorit të Republikës Shqipërisë në Ligjin për “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i “dekriminalizimit”.

Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend më 23 dhjetor 2020 dhe që është në procedurë miratimi, do të ndalohet kandidimi dhe zgjedhja deputet në Kuvendin e Shqipërisë apo edhe në pushtetin vendor i atyre personave që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Më herët ishin precizuar shtetet e Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kanada e Australia, ndërkohë që me amendamentimin e ligjit pritet të shtohen edhe tetë shtete, përfshirë Kosovën.

Nëse projektligji i paraqitur në Kuvend miratohet pa ndryshime, atëherë drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Abazi është depërtuar nga Kosova në Shqipëri më 16 mars të vitit 2016 dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë për dy vjet.

Kësisoj, Bojken Abazi ka kaluar afatin që i ndalohej futja në Kosovë, por jo edhe afatin 10-vjeçar të paraparë me projektligj, “për pastërti të figurës”.

Abazi, ish-sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes, është i njohur për qëndrimin kritik ndaj Qeverisë Rama.