Haraçina 50 ditë pa energji elektrike, banorët të revoltuar protestojnë para zyrës së EVN-së

Shpërndaje

Kjo është revolta e banorëve të rrugës 10 në Haraçinë e shkaktuar nga 50 ditë mungesë e energjisë elektrike. Ata u mblodhën tek zyrat e EVN-së në Butel dhe me këmbëngulje kërkonin takim me drejtorin. Duke bërtitur u afruan deri në hyrjen kryesore ku hasën në pjesëtarët e sigurimit privat të angazhuar nga EVN. Drejtori i filialit në fjalë pranonte të takohej vetëm me tre banorë me kushtin që biseda mes tyre të realizohej pa praninë e kamerës së Televizionit Alsat. Kjo nuk ishte e pranueshme për banorët. Situata eskaloi dhe turma tentoi të hyjë me forcë në hapësirat e EVN në Butel.

Nuk kaloi shumë kohë dhe ne vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë të cilët së bashku me sigurimin u pozicionuan para hyrjes kryesorë për të penguar banorët dhe tentimin e tyre për të hyrë brenda me dhunë.

Banorët e rrugës 10 në Haraçinë thonë se ju vijnë fatura të majme, të cilat i paguajnë rregullisht dhe pavarësisht kësaj nuk kanë energji elektrike nëpër shtëpitë e tyre.

Mungesa e energjisë elektrikë I lë edhe pa ujë pasi shumica prej tyre ujin për pijë e sigurojnë nga puset me motorë elektronik.

Ky banorë ka edhe një market në këtë rrugë. Produktet e mishit dhe bulmetit shpeshherë i përfundojnë në kosh të plehrave për shkak se frigoriferët nuk punojnë.

Mungesa e energjisë elektrike privon nga ndjekja e mësimit online edhe nxënësit. Ata nuk kanë ku të mbushin me rrymë pajisjet e tyre.

Drejtori i filialit të EVN-së në Butel më në fund pranoi banorët me kushtet që i vendosi vetë ai./alsat/