Kamberi jep detaje për fjalimin në Kuvendin e Serbisë: Deputetët e partisë së Vuçiqit tentuan të më pengonin

Shpërndaje

Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi në një intervistë në “Përballje” jep detaje se si dhe nga kush u pengua të mbajë fjalimin shqip në Kuvendin e Serbisë gjatë seancës parlamentare.

Kamberi sqaroi se fjalimin e tij e kishte përgatitur një ditë më herët në gjuhën shqipe, për të cilën e kishte paralajmëruar sekretariatin e Kuvendit të Serbisë.

Sipas tij, zyrtarë të Kuvendit përmes telefonit ishin munduar ta bindin deputetin Kamberi që fjalimin e tij në gjuhën shqipe ta shtyjë për një ditë tjetër, me arsyetimin se nuk kishin përkthyes.

Mirëpo, siç tha Kamberi ai ishte i vendosur ta mbaj këtë fjalim, jo që të dëshmojë se Serbia është një shtet demokratik, por për të dëshmuar një element të identitetit shqiptarë, pasi të hënën siç tha ai Gjykata e Lartë në Beograd, kishte refuzuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptarë për ta dënuar Aleksandar Vulinin për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

“Fjalimi në Kuvendin e Republikës së Serbisë, neni 9 lejon që deputetët që janë pjesëtare të pakicave të mund t’i adresohen kuvendit qoftë me gojë ose me shkrim edhe në gjuhën e vet. Kjo kërkon përgatitje teknike të cilat nuk ishin. Meqë e kisha përgatitur fjalimin një ditë më herët, në mëngjes e kisha njoftuar sekretariatin që do të shtroj pyetje në kuvend në gjuhën time amtare dhe ata paraprakisht para seancës përmes telefonit janë munduar të më bindin që ta shtyjë fjalimin pasi nuk munden të sigurojnë përkthyes. Qëllimi nuk ishte që të dëshmoj që Serbia është një shtet demokratik, por pikërisht kisha për qëllim që menjëherë një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila refuzon padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptarë për ta dënuar Aleksandër Vulin për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve të flas në gjuhën shqipe për të dëshmuar një element të rëndësishëm të identitetit shqiptarë”, sqaroi ai.

Deputeti Kamberi po ashtu tha se në shtetin e Serbisë nuk respektohet e drejta legjitime e gjuhës amtare.

“Siç e patë në një Serbi kontraverse gjendja e pakicave në praktikë ndryshon dukshëm. Një e drejtë e imja legjitime që t’iu drejtohem në gjuhën time amtare u përball me bërtitmë dhe zhurmë të shumicës e sidomos nga deputetët e Aleksandar Vuçiqit, që edhe ashtu e përbëjnë shumicën në parlament”, tha tutje Kamberi.

Ai gjithashtu tha se fjalimet e tij, deri dje i ka bërë në gjuhën serbe me qëllimin e vetëm që problematikat e shqiptarëve t’i kuptojnë qytetarët serbë.

“Deri dje fjalimet e mia i kam paraqitur në gjuhën serbe në mënyrë që t’i adresohem opinionit në Serbi për problematikat që i kanë shqiptarët. E problematikat kryesore janë në mungesë të demokracisë, të tolerancës sidomos intoleranca më e madhe është ndaj shqiptarëve dhe për shkak të raporteve me Kosovën, ajo që përcaktohet si legjislacion në praktikë nga instrumentet politike pengohet siç e patë në rastin konkret në parlament”, tha tutje deputeti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi.

I pyetur se a do t’i pamundësohet në të ardhmen që të mbajë sërish fjalime në gjuhën shqipe, Kamberi tha: “Deri tash s’jam orientuar t’i mbaj fjalimet e mia në gjuhën shqipe pikërisht për shkak të përkthimit. Shqiptarët në tërësi janë të njohur me problematikat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe s’kam pse tua sqaroj atyre, por serbët nuk janë të njoftuar me këto problematika dhe u pa se ata nuk kuptojnë gjuhën tonë edhe kur flasim në gjuhën e tyre”.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në komunën e Medvegjës nga ana e institucioneve të Serbisë.

Kamberi tregon edhe për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në Luginë të Preshevës në përgjithësi.