KQZ: Më shumë se 16 mijë zarfe nga diaspora janë pranuar

Shpërndaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe ndërkaq ka refuzuar 6 mijë e 800 të tjera me vota nga diaspora.

Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Express se disa nga aktivitetet që po zhvillohen në QNR pothuajse janë në fund, siç është skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Po ashtu, sipas tij, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kanë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.

“Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit. Deri më tani janë trajtuar një pjesë e këtyre pakove dhe pas procesit të vlerësimit janë aprovuar më shumë se 16 mijë zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 6 mijë e 800 të tjera”, ka deklaruar ai.

Elezi ka treguar se arsyet e refuzimit të tyre janë nga më të ndryshme.