Kurti për ‘Le Temps’: Do të fillojmë operacionet në administratën shtetërore

Shpërndaje

Lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri në ardhje i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për zviceranen Le Temps ka folur edhe për administratën shtetërore.

Z.Kurti ka deklaruar se do të rifillojë operacione për verifikimin e administratës së lartë, derisa edhe do të kalojë ligjin anti-mafia.

Ai thotë se gjatë kohës sa ishte në qeverisje ka zbuluar që korrupsioni në Kosovë ishte i përqendruar në “majë të shtetit” dhe nuk ishte futur në krejt shoqërinë, përcjell Periskopi.

Kurti nuk ka dhënë shpjegime të mëtejme për të sqaruar gjetjet e bëra gjatë vitit të kaluar që e çuan në një konkludim të tillë.

Ai beson që njerëzit kanë votuar për ndryshimin pikërisht pasi që nuk kanë pasur probleme me ligji në gjirin e shoqërisë, duke qenë se problemi ishte te administrata e lartë.

Përgjigja e plotë për Le Temps:

Ne kemi dy përparësi, punën dhe drejtësinë. Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni. Ne kemi nevojë për investime, por asgjë nuk mund të ndodhë pa një luftë të vendosur kundër korrupsionit. Kur isha kryeministër, nisa operacione për verifikimin e administratës së lartë. Tani do ta rifillojmë këtë punë, si edhe do të kalojmë ligjin antimafia. Sidoqoftë, gjatë kohës që isha në detyrë, zbulova një fakt shumë inkurajues: korrupsioni është përqendruar në majën e shtetit, nuk është ndërfutur në të gjithë shoqërinë, ndryshe nga vendet e tjera në rajon. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit votuan për ndryshimin. Ne duam t’i japim fund një regjimi të vjetër ku elitat e korruptuara përqendrojnë pasurinë.