Lladrovci letër të hapur PDK-së, kërkon që të dorëhiqen kryetarët e degëve ku pësuan humbje

Shpërndaje

Pas zgjedhjeve të parakohshme nacionale, kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka shkruar një letër të hapur për Partinë Demokratike të Kosovës, ku shpreh qëndrimet e tij për zhvillimet në këtë subjekt, si dhe opinionin e tij për të dalë nga kjo situatë.

Ai ka shkruar se për të shënuar rikthim të suksesshëm pas katër vjetësh duhet urgjent të ndërmerren masat, të cilat i ka përshkruar me mesazhin se qytetarët nuk duan fjalë, duan vepra, duan emancipim të mëtejshëm, nivel tjetër të kërkesave, ofertave dhe kauzave politike, në kushte dhe rrethana të reja.

Postimi i Lladrovcit në “Facebook”:

Letër e hapur për Partinë Demokratike të Kosovës

Secili e di fillimin e vet politik, por jo edhe fundin. Kjo çka ngjau në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte paralajmërim, jo vetëm nga unë, por edhe nga dashamirët, simpatizantët dhe qytetarët që vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës, e shihnin si slogan për përfitime individuale.

Tkurrja e PDK-së arriti pikën alarmante për shumë arsye.

Dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematikë të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij.

E gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme për të marrë mësim.

Qytetarit nuk i mjaftoi historia, as fjalët e bukura. Atij i kanë munguar veprat. Ai të ndëshkon për ato që i bën keq dhe ato që nuk i ke bërë mirë. PDK-ja ka bërë gabime për të pritur rezultat tjetër, për fat të keq këtë e ndihmuan jo vetëm keqbërësit, por edhe karrieristët e regjur dhe profiterët vendorë e ndërkombëtarë.

Ashtu siç jam zotuar, komuna e Drenasit ishte, është dhe mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së, vijuese besnike e themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Partia politike është vizion i shumë qytetarëve me një synim të përbashkët dhe nuk ka pronar, por me kontribuues, me udhëheqës të konfirmuar nga vota dhe vullneti i lirë i anëtarëve. Çdo përpjekje për pronësi në parti do t’i kthehet me hakmarrje nga qytetarët, madje me kamatë.

Për të shënuar rikthim të suksesshëm pas katër vjetësh konsideroj se duhet urgjent të ndërmerren masat si vijon:

Dorëheqje e secilit kryetar të degës ku PDK-ja ka pësuar humbje të elektoratit ose dobësim të ndjeshëm;

Lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale ose akuza;

Mënjanimin e manipuluesve të zgjedhjeve të brendshme nga seksioni, nëndega ose dega, të njohur për montime të votimeve dhe numërimit të votave dhe për rezultate të montuara;

Riorganizimin e menjëhershëm në nivel të degëve, duke i bërë të afta për opozitë dhe reflektim politik për nivelin lokal e jo për çështje globale e ndërkombëtare;

Lirimin nga detyra të kuadrit të paaftë, servilë dhe keqbërës gjatë dy dekadave e këndej, nëpërmjet një komisioni etik, të krijuar enkas për vlerësimin e personaliteteve të atakuara në media ose nga anëtarët e degëve;

Riorganizimin thelbësor të zgjedhjeve të brendshme, larg çdo implikimi nga jashtë, larg çdo paragjykimi të kandidatëve, të imponimeve nga qendra dhe klientelizmit;

Publikimi i Deklaratës politike të PDK-së dhe vlerave që synon;

Debatin e brendshëm për çështjet madhore dhe synimet, nëpërmjet personaliteteve të afta dhe të dëshmuara;

Ndryshimin e statutit dhe programit, konform situatës;

Reagimi i shpejtë dhe efektiv kur u bëhet dëm vendit, qytetarëve ose interesave publike nëpërmjet profileve të dëshmuara nga aftësia dhe atdhetarizmi;

Thellim i komunikimit efektiv me anëtarësinë në terren, pa emisarë e ndërmjetës politikë;

Ndryshimi i kursit triumfalist në kursin real opozitar, duke prezantuar drejt vlerat e PDK-së dhe vizionin e saj;

Të ndërpritet praktika e shpërblimit dhe avancimit të dështakëve në zgjedhje qendrore e komunale;

Të ndërpritet një herë e përgjithmonë promovimi i humbësve dhe praktika që humbësit t’i mësojnë fituesit se si t’i fitojnë zgjedhjet;

Të gjitha këto veprime sepse qytetarët nuk duan fjalë, duan vepra, duan emancipim të mëtejshëm, nivel tjetër të kërkesave, ofertave dhe kauzave politike, në kushte dhe rrethana të reja.

Drenas, 18.2.2021

Me nderime,

Ramiz Lladrovci

P.S. Po shihet që dy letrat e mia paraprake, njëra para Konventës më 2018-n, e tjetra më 2.12.2020, drejtuar anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, ku kam shfaqur brengat e mia, fare nuk janë lexuar e as kanë pasur ndikim, është për keqardhje.