Mbrojtja sistematike e punonjësve mediatik është urgjentisht e nevojshme

Shpërndaje

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë më 11 shkurt organizoi një uebinar me temë:”Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal: Zgjidhje për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve”. Ky uebinar paraqet vazhdimsi e aktivitetit të organizuar në nëntor të vitit 2020. Në këtë aktivitet morën pjesë tridhjetë pjesëmarrës, duke përfshirë këtu gazetarët, ekspertët nga Këshilli i Evropës, përfaqësues të Prokurorisë Themelore Publike, një përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë dhe avokatë që përfaqësojnë gazetarë para gjykatave në vend. Përfundimi kryesor i ngjarjes ishte se vetëm përmes ndryshimeve konkrete në Kodin Penal, por edhe në Ligjin për Procedurën Penale duke u dhënë kompetenca më të mëdha Prokurorisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vepruar sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet për sulmuesit, do të përmirësohet siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit mediatik.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski në fjalën e tij hyrëse shprehu pakënaqësinë e tij sepse gjërat janë duke stagnuar dhe reformat ende janë të bllokuara, edhe pse të njëjtat gjëra që duhet të ndryshohen janë përsëritur disa herë gjatë viteve të fundit. “Ende jemi duke shënuar rritje në numrin e sulmeve dhe kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve, ndërsa këtu është edhe problemi me mosndëshkimin e këtyre sulmeve. Do të ishte një sukses i madh nëse në vend që të ndodhnin rregullisht, sulmet ndaj gazetarëve do të ishin incidente që do të ndëshkoheshin.” – theksoi Çadikovski.

Aleksandra Bogdanovska – Menaxhere e Lartë e projektit Liria e Shprehjes dhe Liria e Mediave në Maqedoninë e Veriut – JUFREX, gjithashtu iu drejtua audiencës. Ajo inkurajoi aktivitete dhe iniciativa të tilla duke theksuar se ato janë kyçe në forcimin e sigurisë së gazetarë(e)ve, ndërsa siguria e tyre është një nga parakushtet themelore për profesionin e gazetarisë. Mospengimi në kryerjen e profesionit gazetaresk është shumë i rëndësishëm për çdo shoqëri.

Të pranishmive iu drejtua edhe Xhonatan Prajs, i cili është ekspert i Këshillit të Evropës, dhe avokat në ‘’Doughty Street Chambers’’ në Britaninë e Madhe. Ai prezantoi propozimet e tij për të përmirësuar dhe harmonizuar Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane. Prajs theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme të tejkalohet procesi i mosndëshkimit dhe të ngritet statusi i gazetarë(e)ve në Kodin Penal. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Publike të bëjë punën e saj dhe të fillojë procedurat në interes të promovimit të mbrojtjes së gazetarëve nga ana e institucioneve.

Prokurorja Themelore Publike Spasenka Andonova si një nga panelistet në fjalimin e saj drejtuar pjesëmarrësve të uebinarit theksoi se si përfaqësuese e prokurorisë është e detyruar të respektojë legjislacionin. Ajo veçoi gjuhën e urrejtjes si shembull të mënyrës së komunikimit me elementë diskriminuese që përdoret shpesh kundër gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Andonova theksoi se fatkeqësisht numri i lëndëve ku gazetarët janë palë e dëmtuar është duke shënuar rritje në kohë të fundit. Përballë numrit të madh të kritikave ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike për veprime të pamjaftueshme në drejtim të hetimit dhe mosprocesuimit të lëndëve para gjykatave, ajo theksoi se prokurori publik nuk duhet të shkojë përtej legjislacionit që i imponohet. Paraqitja e rastit në prokurori është akti fillestar që në të vërtetë fillon punën dhe veprimet e prokurorit publik. Sa më shumë paraqitje të rasteve që përmbajnë në vete informata konkrete, aq më shumë do të shkurtohet koha e procedurës së mbledhjes së dëshmive dhe hetimin. Ajo theksoi mbështetjen e këtij procesi në drejtim të përmirësimit të legjislacionit duke përdorur përvojat nga ndryshimet e mëparshme në KP për të dhënë formë dhe përmbajtje për veprim më efikas të Prokurorisë Publike në procedurat për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve.

Furkan Saliu, gazetar nga TV Klan, ndau përvojën e tij me paraqitjen e rastit dhe reagimin e SHGM-së për sigurinë e tij dhe kërcënimet që ai ka marrë në të kaluarën. Rezultatet nga terreni tregojnë qartë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike nuk po bëjnë punën e tyre, tha ai. Kolegu Saliu apeloi që profesioni i gazetarisë duhet të avancohet, për të marrë mbështetjen e institucioneve dhe për të përmirësuar praktikën, pasi një rast është paraqitur qoftë në SHGM apo në Ministrinë e Punëve të Brendshme për kërcënim ndaj gazetarëve, institucionet duhet të reagojnë menjëherë në interes të sigurisë së gazetarëve.

Avokati Ivan Breshkovski theksoi se është e rëndësishme që prokuroria të merr masa zyrtare. Krimi i dhunshëm, dhe tortura me të cilën përballen gazetarët, kanë motive të ndryshme në krahasim me krimet e zakonshme. Është e rëndësishme të dëshmohet motivi i krimit për të vepruar prokuroria. Sipas tij, duhet të ashpërsohen ndëshkimet ose të futet një formë më e madhe e veprës penale në mënyrë që të sigurohet mbrojtje më e madhe e avokatëve në KP. Një problem tjetër që duhet theksuar është kur bëhet fjalë për kërcënime në internet, t’i kushtohet vëmendje e veçant nëse kërcënimet vijnë nga përfaqësues të partive politike ose nga ndonjë zyrtar. Në këto raste prokuroria duhet të fillojë veprimet zyrtare. Në kohë të fundit, është fakt i dukshëm që gjithnjë e më shumë gazetarë janë viktima të këtyre kërcënimeve. Duhet të bëhet një thirrje inkurajuese për gazetarët se ka gjithnjë e më shumë fonde që mund të mbulojnë shpenzimet dhe gazetarët gjithnjë e më shumë janë duke ngritur padi penale.

Darko Duridanski – nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik, në fjalimin e tij përmendi një analizë të shkurtër të përgatitur dhe botuar nga SPGPM në vitin 2016 për nevojat për të ndryshuar Kodin Penal në kontekstin e përmirësimit të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Nevoja për atë analizë në vitet 2016-2017 doli nga rritja e numrit të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik dhe mosndëshkimi për sulmet dhe presionet ndaj tyre. Përvojat e SPGPM-së dhe SHGM-së janë se shumica e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik nuk hyjnë në procedurë. Ai arriti në përfundimin se nga viti 2017 e deri më sot, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin e mosndëshkimit për sulmet mbi gazetarët dhe punonjësit mediatik.

Duke marrë parasysh rëndësinë e rolit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për mbrojtjen e gazetarëve që janë subjekt i sulmeve, në këtë ngjarje ishte i ftuar edhe shefi i Departamentit të Krimit Kompjuterik dhe Forensikës Dixhitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Qëllimi ishte që ai të prezantojë rolin e sektorit në mbrojtjen dhe parandalimin e sulmeve dixhitale dhe të flet për mënyrën e mbledhjes së provave elektronike në kontekstin e mbrojtjes së sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Shkurt para ngjarjes, mysafiri anuloi pjesëmarrjen e tij dhe në këtë mënyrë nuk kishte asnjë përfaqësues nga MPB në uebinarin.

Ky uebinar u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe veprimi i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Maqedoninë e Veriut (JUFREKS)” e cila është pjesë e “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, i zbatuar nga Këshilli i Evropës, i cili synon të ndihmojë përdoruesit nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia në harmonizimin me standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit të tij, atje ku është e aplikueshme. Ky tekst u përgatit me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura në këtë tekst nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Këshillit të Evropës.