Profesori Shasivari: Turpi gjyqësor “Monstra”

Shpërndaje

Rigjykimi i rastit “Monstra” ishte një farsë gjyqësore sepse nuk u dëshmua as motivi dhe as kryerësit e vërtetë pra, nuk u vërtetuan faktet vendimtare të këtij rasti sepse ato po fshihen.

Montuesi kryesor i këtij rasti monstruoz ish-kryeministri Gruevski i iku drejtësisë kurse viktimat e këtij rasti të montuar shpallen fajtorë dhe dë*nohen me dë*nime drakonike sepse vetë qëllimi i këtij procesi të montuar që nga fillimi ishte që këta persona të dë*nohen për terrorizëm sepse janë shqiptarë e jo sepse janë aktorë të vërtetë të këtij krimi.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri Zaev i cili para 5-6 viteve me të madhe premtonte se do ta zbardhë të vërtetën e këtij rasti, duke pohuar se ekzistojnë biseda në të cilat tregohet se për personat që janë në burg nuk ka asnjë dëshmi, se në biseda nuk ekzistojnë dëshmi se kush e ka bërë vrasjen, por ekziston dyshimi se pushteti është i përzier, se qytetarët së shpejti do ta kuptojnë të vërtetën e këtij rasti, se ka materiale sensitive, megjithatë nuk e bëri këtë gjë dhe mundësoi që pasojat tragjike të kësaj farse gjyqësore të godasin mbi këta shqiptarë të pafajshëm ndërsa kriminelët e vërtetë të triumfojnë mbi drejtësinë e këtij vendi.

Prandaj, farsa gjyqësore e këtij rasti të montuar nga një simbol i regjimit të Gruevskit dhe Mijallkovit u kthye në një medalje të padrejtësisë që rëndon qafën e kryeministrit Zaev.

Pa iu nënshtruar përgjegjësisë shërbëtorët e ndryshëm politikë të veshur me toga gjyqësore dhe prokuroriale nuk ka shpresa për drejtësi të reformuar në vendin tonë, e sidomos pa korrigjimin e padrejtësive të rasteve të montuara me në krye rastin e turpit gjyqësor “Monstra”.

Mirëpo, mbi të gjitha, porosia e sotme e Agimit ishte epike: “Unë nuk do të iki si Gruevski, Mijallkovi dhe të tjerët”; ndërsa ne do ta kishim plotësuar me vargjet epike të antologut të padrejtësive kundër shqiptarëve ndër shekuj, Mitrush Kuteli: “Unë jam këtu e këtu do të jem den baba den, gjersa mali tʼbëhet hi e hiri mal përsëri”.