Qytetarja pyet Kurtin: A donë me punu për popull apo edhe ti si të tjerët ?

Shpërndaje

Gratë, mërgata dhe rinia, janë tri kategoritë që sipas Albin Kurtit po bëjnë ndryshimin e madh. Për të tri këto, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, po premton shumë, ndonëse shton se nuk do të ketë më varfëri ekstreme dhe padrejtësi.

Kështu është shprehur ai gjatë një vizite bashkë me kandidaten për deputete Vjosa Osmani, në një fabrikë të ëmbëlsirave në Ferizaj.

Kreu i LVV-së tha se do të ndihmojnë kudo që ka prodhim në Kosovë, e nëse krijojnë linja të reja aq më pranë do të jenë.

Nga aty premtoi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, meqë sipas tij çdo biznesi do t’i eliminohet ryshfeti.

“Do të ketë drejtësi në institucione, drejtësi në shoqëri, drejtësi në ekonomi, drejtësi në punësim dhe drejtësi në gjykata. Do ta ndihmojmë me politika sociale, sepse politikat sociale ndihmojnë me zbut varfërinë dhe me rrit fuqinë blerëse dhe agregate të popullsisë. Konkretisht për të gjithë fëmijët prej kur lindin deri në moshën 2 vjeçare-20 euro në muajt. Prej moshës 2 vjeçare deri në 16 vjeçare 10 euro në muajt. Me neve nuk do të ketë më varfëri ekstreme ku 100 mijë qytetarë jetojnë me më pak se 1 euro në ditë. Dhe 1 mijë bursa do të japim për vajza studente, sidomos nëse janë në shkenca teknike dhe menaxheriale”, ka theksuar ai.

Kurti ka shtuar se rinia po kërkon banim të përballueshëm, edukimin cilësor dhe punë cilësore. Sipas tij, një pjesë e madhe e tyre nuk mund as të martohen për shkak se nuk kanë ku të banojnë. Kurti premtoi banim me kosto të përballueshme.

“Një numër i madh i të rinjve kur fejohen dhe duhet të bëjnë kurorëzimin afër certifikatës e kanë formularin për vizë se si të ikin nga vendi ynë. Gjyshi gastërbajter, babai gastërbajter tash edhe nipi me u bo është e tepërt. 13 vjetorin e pavarësisë e festojmë edhe pak, 22 vjetorin e çlirimit në qershor, në shekullin 21 me i marrë valixhet, me marrë botën në sy ndoshta edhe me master po këtu më shumë se kamarier nuk ka mund të punojë. Prandaj 14 shkurti është referendum. Nuk do të qeverisim as për inat të dikujt, por për të mirën e popullsisë ku tri kategori janë duke e bërë transformimin e madh: Gratë, mërgata dhe rinia”, ka shtuar ai.

Se kur do të ndalen migrimet e të rinjve, ishte edhe pyetja e një qytetare, e cila vet ka tre djemtë në perëndim. Ajo po ashtu i tha Kurtit se nuk do të ketë mundësinë që të jetë gjatë në pushtet, nëse nuk do të ketë prioritet interesin e qytetarëve.

“A donë me punu ti, a donë me lon sikur këta. ‘Jo sikur këta ua lëjmë këtyre, kurrë sikur këta, hiç….Nëse punon për popull, për shtet ki me pas përkrahje gjithë jetën, nëse punoni veç për gjepat e juaj, ne ju hjekim sikur ata. Këta e kanë qu gjatë 21 vjet shumë janë bërë milionera. Por na nuk ju lojmë kaq gjatë… Osmani: Jo hiç mos na le as një ditë”, ka thënë ajo.

Pas kësaj vizite në fabrikën e ëmbëlsirave, Kurti dhe Osmani kanë ecur përgjatë sheshit të Ferizajt, ku morën përkrahjen e simpatizantëve të këtij qyteti./KP