Rama nga Elbasani: Nuk premtojmë nënë e babë, por do ndërtojmë 4 aeroporte

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama nga Elbasani mohon që të qëndruarit në pushtet është një qëllim në vetvete, por sipas tij mandati i tretë i duhet për të çuar përpara projektet që kanë mbetur në kantier. Ndërsa për çështjet që nuk mund t’i bëjnë realitet, siç është vota e emigrantëve, socialistët fajësojnë PD dhe LSI.

Edhe pse është i gatshëm të sakrifikojë edhe kohën me familjen e tij, Edi Rama kërkon të bindë elektoratin se pushteti nuk është qëllimi në vetvete.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Elbasanit, Kryeministri përveç pistave të fluturimit nga jugu në veri nuk kishte premtin elektoral të ri.

Rama: Nuk jemi në një fushatë elektorale ku jemi gati të premtojmë nënë e babë për të marrë vota. Mandati i tretë nuk është qëllim në vetëvete, është mjeti për të realizuar këto qëllime që nga plani për të pasur në Shqipëri katër aeroporte.

Në një kohë kur qytetarët janë të joshur nga taksa e shedhtë e propozuar nga PD, mazhoranca ka vendosur të rishikojë taksën progresive, por e pavendosur ende për vitin se kur ta do aplikojë.

Rama: Jemi duke finalizuar një llogari nëse do ta bëjmë në janar të 2022 apo në janar të 2023 në kushtet kur kërcënohemi nga kthimi tek taksa famëkeqe e sheshtë, është premtimi më ekstravagant që mund të dëgjohet.

8 vite në pushtet, socialistët nuk bënë asgjë për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ndërsa 2 muaj para zgjedhjeve fajësojnë opozitën se po pengon votën e tyre në 25 prill.

Balla: Frika ime është që PD-LSI po bëjnë gjithçka që kanë mundësi të bëjnë me përfaqësuesit e tyre në strukturat e reja të KQZ-së për ta penguar këtë proces, për të penguar që shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të votojnë.

Kreu i qeverisë mendon se gjyqtarët i kanë bërë më shumë dëm Shqipërisë se sa politikanët.

Rama: Në raport me Shqipërinë ka përgjegjësi dhe faje shumë më të rënda sesa përgjegjësia dhe faji i politikanëve. Nëse kjo kastë nuk do ta kishte kthyer drejtësinë në një mall që shitet dhe blihet, edhe politikanët do të kishin qenë shumë më të përmbajtur dhe shumë më të përgjegjshëm.

Nga Elbasani ripërsëriti sërish nevojen për autonominë spitalore dhe nisja do të bëhet nga pilotimi në spitalin rajonal të Fierit, i cili po ndërtohet nga turqit.