Regjistrimi i popullsisë me model të kombinuar, elektronik dhe në terren

Shpërndaje

“Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut do të zbatohet me një metodologji të re, e cila për herë të parë do të zbatohet tek ne. Kjo metodologji në një pjesë e përfshin edhe regjistrimin elektronik. Ky model i kombinuar është i njohur në praktikën botërore dhe është në përputhje me rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe Eurostat”, kështu paralajmëroi sot kryeministri Zoran Zaev nëpërmjet fejsbukut.

Zaev sqaroi se modeli i ri i kombinuar i regjistrimit përfshin në një pjesë edhe regjistrimin elektronik, i cili do të sigurojë të dhëna të sakta dhe të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Lidhur me metodologjinë e re, ai shpjegoi se regjistrimi elektronik së bashku me regjistrimin në terren do të sigurojnë një proces të plotë dhe sukses të plotë të regjistrimit.

“Duke i kryqëzuar të dhënat që do të merren nga pyetësorët elektronikë në terren me të dhënat nga bazat e të dhënave që ekzistojnë tashmë në vend, do të kemi një pasqyrë të plotë të të dhënave që janë të nevojshme, por nuk janë të përfshira në bazat e të dhënave elektronike. Përmes këtij modeli të kombinuar, i cili është i njohur në praktikën botërore, ne do të kryejmë një regjistrim në përputhje me rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe Eurostat”.

Përkundër kërkesës së VMRO-DPMNE për të kryer vetëm një regjistrim elektronik, LSDM dhe kryeministri Zoran Zaev vlerësojnë se kjo mënyrë nuk do të mjaftonte për të marrë të dhëna të plota pasi një pjesë e të dhënave nga bazat elektronike nuk japin një pasqyrë të plotë dhe të saktë.

“Vetëm me regjistrim elektronik nuk mund të merren të gjitha të dhënat e nevojshme për qytetarët jo-rezidentë, dmth, qytetarët që janë jashtë vendit për më shumë se një vit, dhe asnjë bazë e të dhënave nuk ofron një pasqyrë të plotë të llojit, standardeve dhe numrit të vendbanimeve të qytetarëve tanë . Për krijimin e politikave dhe strategjive afatgjata kërkon të gjitha të dhënat e sakta që do të merren nga regjistrimi dhe për këtë arsye duhet të zbatohen dhe do të zbatohen në përputhje me të gjitha standardet”.

Në ndërkohë deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski tha se në vend të falsifikimit qeveria duhet të pranojë regjistrimin elektronik të popullsisë të cilin duhet ta vazhdojnë ekspertë të fakultetit të informatikës. Regjistrimi i popullsisë është paraparë që të realizohet nga 1 deri më 20 prill. /SHENJA/