Stuhia “Darsi” gjunjëzon Evropën (Video)

Shpërndaje

Një shtresë e trashë dëbore ka mbuluar Yorkshire në veri të Anglisë ku stuhia Darsi ka sjellë acar e temperatura nën zero. BBC thotë se reshjet e dëborës mund të vazhdojnë pa pushim deri të mërkurën në këtë zonë.

Paralajmërime janë lëshuar për Londrën dhe juglindjen e Britanisë ku priten ngërçe të mëdha të trafikut nëpër rrugë si dhe probleme të udhëtimit me tren apo avionë. Banorëve u është thënë se ka rreziku rrugët të bllokohen nga bora, e nuk përjashtohen as ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike apo shërbime të tjera përfshirë gazin, ujin e madje edhe ato të telekomunikacionit.

Me erërat e saj që kapërcejnë 90 kilometrat në orë dhe reshjet e mëdha të dëborës, stuhia Darsi ka vënë në alarm autoritetet holandeze të cilat shpallin “kodin e kuq” të emergjencës në mbarë vendin, i cili prej një dekade nuk ishte përballur me një stuhi të tillë të këtyre përmasave. Është hera e parë prej shumë vitesh që Holanda përballet me një stuhi bore. E fundit ndodhi janarin e vitit 2010, thonë meteorologët vendas.

Dëbora zbardhi dhe qendrën historikë të Pragës. Ne kryeqytetin çek u shënuan vonesa në qarkullimin e autobusëve, tramvajeve dhe trenave, ndërsa u shënuan edhe dhjetëra aksidente rrugore. Në lindje të vendit, drejtuesit e automjeteve e patën shumë të vështirë të lëviznin në rrugët e mbuluara nga akulli.

Stuhia dimërore ka shkaktuar kaos edhe në veri, lindje e në rajonet qendrore të Gjermanisë. Në landin North Rhine-Westphalia, policia ka marrë 720 telefonata brenda 24 orësh pasi zona u godit nga moti ekstrem. Aksidentet këtu rezultuan me një vdekje dhe 37 të lënduar. Ngërçe të mëdha trafiku janë raportuar edhe në Belgjikë teksa reshjet e bores pritet të vazhdojnë në pjesën më të madhe të Europës veriore.