​Haziri: Cilido që zgjidhet kryetar do të ketë detyrë të rëndë

Shpërndaje

Kandidati për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se kushdo që do të marrë detyrën e të parit të partisë e pret një barrë e rëndë. Sipas tij, uniteti dhe puna e përbashkët do të sigurojë rikthimin e madh të LDK-së.

Haziri, i cili vetëm nga gazetarët e kuptoi për tërheqjen e kandidaturës së Anton Qunit për kryetar të LDK-së, tha se nuk beson që ky veprim do t’i shtojë shanset atij për Fitore.

“Besoj shumë që se cilido që zgjidhet do të marrë një detyrë të rëndë, por uniteti dhe puna e përbashkët do të bëjë rikthimin e madh të LDK-së. Tërheqja e Qunit? Kam besuar që do të duhet të katër kandidatët me qenë sot në ballafaqim me vota dhe është e mirë që demokracia brenda LDK-së funksionon”, tha Haziri.

I pyetur se cila janë reformat që duhet të ndërmerren menjëherë pas këtij kuvendi zgjedhor, Haziri u shpreh se ka nevojë për ndërhyrje në degët e partisë dhe për t’u bërë gati për zgjedhjet lokale.

“Do të kemi nevojë urgjente që të ndërhyhet në kuvendet e komunave, në kuvendet e degëve ne i themi, në mënyrë që të përgatitemi për zgjedhje lokale. Ky është hapi i parë i madh që duhet të ndërmerret, natyrisht në bashkëpunim me kuvendin dhe këshillin drejtues të LDK-së që është organi më i lartë i LDK-së”, tha Haziri.

Haziri shkurt tha se do të pranojë ftesën e Kurtit dhe Osmanit për takim në rast se ai zgjidhet kryetar i LDK-së.

Po ashtu, ai tha se të gjithë kandidatët e tjerë për kryetarë mund të jenë pjesë e ekipit të tij për udhëheqjen e partisë.

“Nuk e pranoj dhe nuk e lejoj logjikën e refuzimit, logjikën e eliminimeve politike për shkak të konkurrencës politike. Cilido që kandidon e ka vendin e vet në LDK dhe nuk ia mohon askush. A e pranoj rezultatin? E pranoj, e përqafoj dhe do të punoj në të njëjtin vend për secilin”, tha Haziri./KP