Bisedime pa rezultat mes Kurtit dhe liderëve të PDK dhe AAK

Shpërndaje

Për 10 tema që kanë të bëjnë kryesisht me politikën e jashtme, kreu në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj ka kërkuar sqarim se si do të qasen në të ardhmen kryeministri në ardhje Albin Kurti dhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani.

Në takimin që zhvilloi me Kurtin e Osmanin e që zgjati më shumë se një orë e gjysmë ndër 10 pikat që përmendi, Hoxhaj e ka pyetur Kurtin nëse distancohet nga veprimet që sa ishte në opozitë kishte sulmuar institucionet e vendit.

Ai ka kërkuar sqarim edhe për qasjen karshi dialogut, respektimin e marrëveshjes së Washingtonit, qasjen karshi demarkimit të kufirit me Malin e Zi e reciprocitetin ndaj Serbisë.

Sa i përket çështjes së presidentit ka thënë se fillimisht do të duhej të flitej për parime e jo për emra.

“Para se të flitet për personin duhet të flitet për parime se kush mund të jetë president. Kosova ka nevojë për qartësi dhe stabilitet politik. Kemi nevojë për lider dhe për unitet dhe që i avancojnë marrëdhëniet e jashtme.”

Kurti e Osmani kanë takuar edhe kreun e AAK-së Ramush Haradinaj. Ky i fundit pas takimit tha se i takon pozitës që të bëjë shumicën në Kuvend ndërsa tha të jenë pajtuar për bashkëpunim pozitë opozitë për tema të interesit nacional.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën me kriju qeverinë, shumicën në qeveri. 2-3 për presidentin. Është në përgjegjësinë e tyre, ne si aleancë nuk e kemi këtë mundësi. Ajo që na mbetet është një rol opozitar, funksional në shërbim të vendit.”

Kreu i ri i LDK-së, Lumir Abdigjiku ka refuzuar që të takohet sot me Osmanin e Kurtin. Ai ka kërkuar që një takim i tillë të mbahet të premten meqë vetëm dje është zgjedhur kryetar i ri i partisë dhe i duhen konsulta me kryesinë e re të partisë për qëndrimet karshi kërkesave të qeverisë në ardhje.