Duda Bale: Me Kurtin po bëhet e gjallë ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Shpërndaje

Deputetja e Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak Duda Bale ka thënë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është frikë reale dhe se kjo ide me Albin Kurtin bëhet gjithmonë më e gjallë.

“Është frikë reale. Ajo ide ekziston tash e disa vjet. Është e definuar si radikale, por tash me Kurtin po bëhet gjithnjë më e gjallë”, ka thënë Bale në intervistë për “Al Jazeeran”.

Ajo ka thënë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë do të ndodhë herët apo vonë.

“Njohja e ndërsjellë do të ndodhë herët apo vonë. Opsion të dytë, realisht, nuk ka. Me ose pa presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova është një shtet i pavarur dhe është një proces që askush nuk mund ta kthejë”, ka thënë Bale.

Bale ka folur edhe për mundësinë e shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për këtë.

“Nuk mendoj se ai ndryshon mendjen në këtë. Shkëmbimi i territoreve vështirë se mund të jetë opsion”, ka thënë Bale.

Bale ka thënë se përpjekjet e mëhershme për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë të suksesshme.

“Kurti ka një pozicion të veçantë për këtë çështje. Ai beson se nuk është një prioritet për Kosovën që të vazhdojë menjëherë negociatat. Ne do të shohim zhvillimin e situatës, planeve dhe presioneve të Evropës dhe Amerikës në periudhën e ardhshme”, ka thënë Bale.

Bale ka fituar mandatin e katërt si deputete e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.

Ajo ka dhënë mbështetjen për formimin e Qeverisë Kurti 2. Të hënën mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re dhe pritet të votohet më pas edhe Qeveria.

Sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, Bale, ka thënë se kjo çështje në Kosovë trajtohet si formim i një shteti brenda një shteti.

“Përfaqësuesit serbë dëshirojnë pavarësi dhe lidhje më të madhe të komunitetit të atyre komunave me Beogradin. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme t’u japë atyre më shumë të drejta krahasuar me komunat tjera”, ka thënë Bale.