Edhe në Tetovë ‘lulëzon’ ryshfeti i patentave!

Shpërndaje

Denoncimi për ryshfet në Shkup, ka bërë që të nxisë denoncimet edhe në qytetet e tjera. Një person i njohur për redaksinë, tregon se në Tetovë ka qenë viktimë e ryshfetit. Në kushte anonimiteti tregon se tarifa e njohur nga të gjithë për të kaluar testin e vozitjes për kategorinë B është 300 euro, shumë e cila nuk ka mjaftuar në këtë rast. Si pasojë e kërcënimeve thotë se këtë shumë të parave e ka dorëzuar tek një ndërmjetësues, duke e ditur se ato kanë përfunduar në auto shkollë dhe në Qendrën rajonale të provimeve automobilistike në Tetovë.

“Unë jam nga Tetova, në qytetin tim testi për vozitje e kam fjalën për në fund paguhet 300 euro te të gjitha auto shkollat sa kam dëgjuar. Por tani ka disa auto shkolla edhe nga 350 euro që i marrin. Djali im e ka marr para dy viteve ka paguar 300 euro. Ligj është kjo, e paguan krejt ato me rregull që janë dhe kur arrin në fund ose 5 herë të rrëzojnë ose paguan 300 euro. Nuk kishte kohë djali se donte të dilte jashtë e i shpejtohej, 5 herë nuk mund të priste për vozitje dhe për atë shkak hyra borxh dhe e pagova”

Nga Auto shkollat në Tetovë nuk deshëm të flasin hapur para kamerave për këtë fenomen. Ndërkohë sipas ish kreut, Shoqata e Instruktorëve nuk funksionon prej dy vitesh. Ekipi i TV Alsat nuk u lejua të xhiroj në poligonin e qytetit. Kandidatët që janë para marrjes së patentës së shoferit nuk flasin pasi druajnë se do të pengohen edhe më shumë në marrjen e lejes së vozitjes. Nga ana tjetër, ekspertët e komunikacionit thonë se kandidatët që nuk janë të përgatitur dhe lejet i marrin me “lidhje”, paraqesin rrezik për pjesëmarrje në trafik.

“Unë nuk mund të flas, kanë marrë apo s’kanë marrë, sa kanë marrë dhe ngjashëm, kjo është çështje e ndjeshme. Nga aspekti i nevojës për praktikë cilësore dhe aftësim për pjesëmarrje aktive në sigurinë në komunikacion është e domosdoshme. Duhet të kryhen të gjitha procedurat për trajnim cilësor praktik dhe teorik për të arritur njohuritë e larta që pjesëmarrësi në komunikacion të jetë plotësisht i gatshëm për siguri aktive dhe pasive në trafik.”

Prej disa ditësh Tv Alsat raporton për denoncime të ryshfetit për marrjen e lejeve të vozitjes. Në Shkup, tani më disa persona e rastet i kanë denoncuar në Prokurori. Sipas disa kandidatëve dhe instruktorëve në Shkup nga 200 euro janë tarifat e zakonshme për kategorinë B dhe 300 për kategorinë C.