Ekskluzive: Javën e ardhshme me gjasë hidhet në votim zgjedhja e Vjosa Osmanit – presidente!

Shpërndaje

Gazeta Blic merr vesh nga burimet e saj, që javën e ardhshme, sipas të gjitha gjasave do të thirret seancë e jashtëzakonshme, për t’u hedhur në votim zgjidhja e presidentit të ri.

”Sipas të gjitha gjasave pritet që javën e ardhshme do të thirret seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Nuk kemi çka presim më”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Aty Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, do ta propozojë Vjosa Osmanin, për të marrë drejtimin e presidencës.

Sipas këtij burimi, LDK ka vullnet politik që ta mbështes Vjosa Osmanin për presidente.

”Shumica e deputetëve të LDK-së pritet t’ia bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente. Përjashtim mund të jenë 2 deputetët, Agim Veliu e Driton Selmanaj”, tha ky burim.

Madje, disa deputet nga LDK edhe publikisht kanë bërë thirrje që deputetët duhet të qëndrojnë në seancë për zgjedhjen e presidentit.

Njëra prej tyre është edhe Valentina Bunjaku, e cila para dy ditësh kërkoi nga bashkëpartiakët që ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.

Ndërkohë, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Kossnet dhe vendet e QUNIT-it kanë kërkuar nga deputetët që t’ia bëjnë kuorumin zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Prej 120 deputetëve, është obligative që 80 prej tyre të qëndrojnë në sallë gjatë momentit të votimit.

Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka dhënë qëndrim zyrtar që nuk do të qëndrojë në sallë e as nuk e do e votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Përjashtim bënë deputeti i kësaj partie, Xhavit Haliti, i cili publikisht ka deklaruar se do e shqyrtojë mundësinë se a do të qëndrojë në sallë.

Njësoj janë deklaruar edhe zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili ishte edhe kandidat për t’u bërë president, në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit, pati deklaruar se partia e tij nuk ka vota për Vjosa Osmanin.

Kurse, ende nuk është marrë një vendim i prerë nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me Vjosa Osmanin, për këtë temë.

Pas takimit, Abdixhiku theksoi se janë pajtuar që të takohen sërish me Vjosa Osmanin. Kurse, kjo e fundit theksoi se pret mbështetja nga ana e ish-kolegëve të saj nga LDK, por edhe nga deputetët tjerë.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka marrë 67 vota, derisa Glauk Konjufca, si kryetar Kuvendi ka marrë 68 vota.

Gazeta Blic, do ju mbajë të informuar lidhur me zhvillimet për zgjidhjen e presidentit të ri dhe sigurimin e votave të nevojshme për një gjë të tillë.