Gjykimi ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit pritet të fillojë në gusht të këtij viti

Shpërndaje

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale pritet të fillojë kah mesi i muajit gusht.

Kjo u la të kuptohet në seancën e sotme të Speciales në pikën ku u diskutua për hetimet e mbrojtjes dhe Prokurorisë, shkruan lajmi.net.

Avokati i Gucatit tha se pavarësisht kufizimeve, pret që gjykimi të nis nga 13 gushti e tutje.

“Ju keni përcaktuar kalendarin dhe me kalimin e kohës ne mendojmë që pavarësisht nga kufizimet ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona dhe t’i përmbahemi kalendarit të përcaktuar. Besojmë që do të jemi gati për gjykim në javën që fillon prej 13 gusht e tutje”, tha ai.

Në të njëjtën vijë të mendimit ishte edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

“Edhe ne mendojmë dhe jemi në të njëjtin pozicion. Kemi vështirësi në zhvillimin e hetimeve dhe s’dua të hy në konflikte me prokurorinë. Kemi pasur probleme me disa linja të hetimeve. Shpresojmë që të bëjmë hetime të mëtejshme të mbrojtjes brenda 10 ditëve të ardhshme. Kjo do të varet edhe nga situata, sepse psh e gjithë Evropa është vendosur në kodin e kuq sa i përket pandemisë”, tha Cadman.

Seanca në Speciale ka shkuar në pauzë teksa pas rikthimit, gjyqtari pritet t’i jap disa urdhëra që kanë të bëjnë me procedurën paraprake.