Konjufca për artistin Rasim Thaçi-Cima: Jemi rritur me të, ishte pjesë e pandashme e festave

Shpërndaje

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë bërë homazhe dhe i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit të shquar të popullit tonë, artistit të humorit popullor Rasim Thaçi- Cima.

U.d presidenti Konjufca ka thënë se Rasim Thaçi ka qenë pjesë e pandashme e familjeve tona për dekada me radhë, “sidomos për ne që jemi të lindur në viteve e ’80-ta, ka qenë e pamundshme me pritë Vitin e Ri, e Rasim Thaçi mos me qenë mysafiri jonë i pashmangshëm”, ka thënë u.d presidenti.

Sipas tij, Rasim Thaçi ka bërë një humor që ka qenë shumë i veçantë, që na ka shoqëruar dhe na ka dhënë buzëqeshjen edhe në kohën e zymtisë të okupimit.

“Prandaj, do të mbahet mend gjithmonë, do të nderohet e do të kujtohet gjithmonë nga populli jonë. Vepra e tij është e paharrueshme, dhe unë mendoj që edhe humori i ditëve të sotit, i cili është humor i natyrës popullore, e i cili bëhet prej humoristëve tash të rinj është shumë i ndikuar prej asaj që në fund të viteve ’80-ta e bënin “treshi përsheshi”, ka theksuar u.d presidenti.

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se duke e nderuar veprën e tij, në këtë mënyrë ne nuk i harrojmë artistët që në kohët më të vështira popullin tonë e ndihmuan që ta kalojë kohën e vështirë, dhe po ashtu edhe okupimin.