KQZ miraton listën e opozitës, por pa 78 kandidatët që dorëzoi tepër

Shpërndaje

Komisioni Qëndror i zgjedhjeve është mbledhur sërish sot për të diskutuar mbi listat shumë emërore të kandidatëve për deputet nga forcat politike.

Por ndërsa lista e Nismës Thurje dhe ajo e Lëvizjes së Re u miratuan pas korrigjimit, lista e koalicionit opozitar sërish kishte probleme.

Edhe kësaj herë ishin dërguar lista me më shumë emra seç duhet, 78 të tillë, që bëri që Komisioni të marr një pushim për tu rikthyer me një vendimmarrje.

Pas pushimit u vendos miratimi i listës së koalicionit opozitar por pa 78 kandidatët tepër.

Debati në KQZ

Eridjan Salianji, përfaqësuesi i PS: Lista e PD tej numrit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Bie në kundërshtim, lista duhet të jetë në përputhje me numrin e mandateve. Lista është risjellë si në datën 9 mars, edhe kur u kthye u kërkua edhe mos tejkalimi i numrit të mandateve. Jemi përballë të njëjtit fakt sërish. Listat e hapura me këtë veprim, e bën thuajse të pamundur thyerjen e pragut. Të gjitha partitë e tjera kanë sjellë numër të rregullt kandidatët, nga PS dhe të tjerët.

Sherri i Lulit me aleatët dhe me kandidatët, nuk mund të përcillet në KQZ. Ata duhet t’i kishin ndarë listat, nuk mund të bëhet këtu. KQZ ti regjistrojë listat, që PD të jetë në zgjedhje, por duke zbatuar ligjin. Dy emrat e PD në listë, i 8 në Durrës ka një vendim dënimi të padeklaruar. KQZ duhet të bëjë verifikim të shpejtë për të. Po ashtu numri 5 në Shkodër, media ka publikuar fshehje të një hetimi që kandidati i PD nuk e ka deklaruar. Derisa të printohet fleta e votimit, për këta dy emra, KQZ të bëjë një hetim të shpejtë e të thelluar që të kemi mundësi t’i heqim nëse dalin në kushtet e ndalimit.

Iv Kaso, përfaqësues i PD: Ligji cakton vetëm numrin minimal të kandidatëve që duhet të paraqiten për cdo qark. Lista jonë është në përputhje me ligjin. Si e tille duhet te regjistrohet.

Dekriminalizimi, Kaso: Administrata e KQZ ka kryer verifikimet formale. Asnjë kandidat i yni nuk ka rezultuar të ketë pasur kundërshti me ligjin. Vullneti ynë duhet përgëzuar pasi ne kemi nënvizuar nevojën jetike të ligjit të dekriminalizimit, pasi nga kjo forcë politike u imponua ky ligj. Akuzat janë gazetareske. Nën hetim është edhe kryeministri, drejtues politikë të mazhorancës etj, që janë në SPAK pas kallëzimeve të bëra nga opozita. Lajmet për një nga kandidatët tanë, ftojmë KQZ të bëjë verifikimet e nevojshme. PD i është drejtuar me shkresë Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar kandidatin tonë. Ky është standardi ynë.

Ilirjan Celibashi: Për dy kandidatët e PD, 8 në Durrës dhe 5 në Shkodër, KQZ ka bërë verifikim paraprak, e nëse do të jetë rasti për këta e të tjerë që ka indicie, do të bëjmë verifikim të thelluar në bashkëpunim me Prokurorinë. Kjo do të bëhet vetëm pasi ne të miratojmë listën e kandidatëve të këtij subjekti. Kodi Zgjedhor përcakton saktë numrin e kandidatëve që duhet të paraqesë subjekti në cdo qark. Edhe pse lista në këtë rast nuk është në përputhje me Kodin, ne nuk jemi përpara rastit të refuzimit të kësaj liste. Por mund të aplikojmë sanksione sipas ligjit për këtë subjekt. Nuk jemi në kushtet për të refuzuar listën.

KQZ vendos miratimin e listës, duke miratuar vetëm emrat e parë të renditur brenda kuotave të KQZ. Emrat e tepërt nuk regjistrohen. Nga 231 emra, pranohen vetëm 153

Top Channel