Kurti pas vaksinimit: S’jam këtu të shfrytëzoj privilegjin, por për t’i inkurajuar qytetarët

Shpërndaje

Fiks një javë pas marrjes së detyrës si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti është bërë personi i parë që mori vaksinën për imunizimin ndaj Covid-19.

Pas plotësimit të të dhënave, Kurti është ulur në një njërën prej tavolinave për vaksinimin, ndërsa pas marrjes së vaksinës ka qëndruar për disa minuta brenda sallës “1 Tetori” duke u përcjellë nga stafi shëndetësor në rast të shfaqjes së ndonjë reaksioni.

E menjëherë pas Kurtit, është vaksinuar shefja e Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, dhe infektologu Salih Ahmeti.

Në mesin e personave të parë të moshuar është vaksinuar edhe Selman Jusufi.

Ndërsa që nga e marta vaksinimi përveç sallës “1 tetori” do të bëhet edhe në Klinikën Infektive, ku pritet të vaksinohen mjekët e sektorit primar.

Ndërsa të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të vaksinohen duhet të plotësojnë një aplikacion online.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të jetë i shqetësuar me shifrat e larta të ditëve të fundit, derisa ka shtuar se marrja e masave do të bëhet në koordinim me të gjitha institucionet.

Vitia të hënën ka pasur një takim online me kryetarët e komunave sa i përket koordinimit të nisjes së vaksinave edhe në komuna.

Aty është thënë se vaksinimi nëpër komuna do të nisë nga fundi i javës.