Kuvendi nuk ka kuorum, as nesër nuk do të ketë seancë

Shpërndaje

Në mungesë kuorumi, as nesër nuk do të mbahet seanca në Kuvend. Kryetari i institucionit ligjvënës Talat Xhaferi, provoi që të siguroj kuorum me opozitën duke realizuar takim me shefat e grupeve parlamentare, por nuk arriti sukses, pasi e njëjta u pengua nga VMRO-ja opozitare. Kërkesën e këtij të fundit Xhaferi e quajti si ultimatum dhe në prononcimin për media, tha se asnjëherë nga askush nuk ka pranuar ultimatume, as personalisht dhe as profesionalisht, prandaj nuk e pranon një kërkesë të tillë.

Ai më tej tha se do të pres edhe disa ditë. Deri të enjten njëri nga deputetët që është në izolim duhet të kthehet dhe pastaj do të përgjigjen si shumicë.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvend

“Për fat të keq, punimet po shkojnë në drejtim të kërkesave ultimative, kushtëzuese, mbi të cilat kërkesa nuk mund të kaloj, për faktin që se as personalisht, por as si institucion, si kryetar i Parlamentit nga askush deri më tani nuk kam pranuar ultimatume dhe kushtëzime për punën dhe aktivitetin tim, qoftë personal, qoftë institucional si kryetar Parlamenti”.

Kryetari i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski akuzon partitë në pushtet se po e bllokojnë sjelljen e ligjit për pakon e pestë të masave ekonomike. VMRO-DPMNE propozoi që të caktohet seancë e veçantë në të cilën do të rishikohen ligjet që kanë të bëjnë me masat financiare në aspekt të pandemisë dhe të kalojnë ligjet e paketit të pestë të masave ekonomike.

Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE

“Nëse vërtetë do kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve nuk do ta refuzonin propozimin tonë në mënyrë eksprese për t’u sjellë këto ligje. Ato po e përdorin këtë paketë, sepse e dinë që nuk kanë kuorum, diçka që është obligim i tyre, por duan që ta përdorin opozitën që ta sigurojnë kuorumin dhe në seancën e caktuar për nesër të votohen edhe ligje tjera të dëmshme për të cilat duhe të debatohet”.

Nga LSDM qeveritare akuzojnë VMRO-në se nuk është njerëzore dhe humane të kërkohet shumicë në këtë kohë pandemie.

Kostadin Kostadinovski, LSDM

“Kjo shumicë parlamentare e ka shumicën e nevojshme për të funksionuar. Puna e Kuvendit nuk mund të shihet, sidomos nga numri i deputetëve të nevojshëm të shumicës parlamentare, në situatën e pandemisë botërore. Është johumane dhe jonjerëzore”.

Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Zejd Rexhepi, tha se pushteti po mundohet që ta njollosë opozitën shqiptare për bllokimin të gjitha ligjeve, përfshirë edhe ato të pakos së pestë.

Skender Rexhepi, Koalicioni ASH-AAA

“Prandaj, për debllokimin e Kuvendit, propozova që shumica, pasi që në deklaratat e tyre televizive vazhdimisht kanë edhe ata propozim ligj për shtetësi, unë u bëra ftesë le ta sjellin propozimin ligjin që e kanë ata dhe propozim ligjin tonë, t’i harmonizojmë dhe të bëjmë një propozim ligj të përbashkët i cili mund të shkojë i përbashkët me emër të gjithë grupeve parlamentare por të jetë në interes të qytetarëve që janë të prekur. Por hasa në vesh të shurdhër tek shumica, përfaqësuesit e grupeve parlamentare”.

Ndër pikat në rendin e ditës të kësaj seance ishin ligjet nga pako e pestë e masave për t’u marrë me Covid-19, projektligji për mbështetjen financiare të personave fizikë që kryejnë veprimtari të pavarur të prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga virusi COVID-19 , për muajt shkurt dhe mars 2021, projektligji për Mbështetjen Financiare për punëdhënësit e prekur nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga COVID-19, për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars 2021./SHENJA/