Ministri i Drejtësisë, Mariçiq: Sipas Ligjit në fuqi, regjistrimi fillon nesër

Shpërndaje

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq ka vlerësuar, se sipas Ligjit në fuqi, Regjistrimi i popullsisë rezidente do të fillojë nesër në Maqedoninë e Veriut.

“Sipas Ligjit në fuqi, nesër duhet të fillojë Regjistrimi”, tha Mariçiqi, në intervistë për Televizionin “Sitel”, transmeton TV21.

Duke folur për atë, se a do të thotë kjo se nesër regjistruesit dalin në terren për të grumbulluar të dhëna, Mariçiq tha se për këtë çështje përgjegjëse është Enti Shtetëror i Statistikave, por sipas tij, bazuar në Ligjin aktual, Enti duhet të ndërmarrë aktivitete të caktuara.

Kjo deklaratë e Mariçiqit, vjen pasi sot në Kuvend nuk u arrit koordinim mes grupeve parlamentare për caktimin e seancës për ndryshim të Ligjit për regjistrim, për vazhdim të gjendjes së krizës dhe për ligjin për pakot ekonomike.

Sipas asaj që njoftoi kabineti i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kanë qenë kundër caktimit të seancës.