Nesër përfundon ora policore – A do të ketë vazhdim?

Shpërndaje

Nesër përfundon ora policore, kompetentët nuk e përjashtojnë mundësinë për masa të reja restriktive

Nesër në mëngjes në orën 5 ndalon të vlejë vendimi i Qeverisë për vendosje të orës policore prej orës 22 të natës deri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk e përjashton mundësinë për vendosje të masave restriktive shtesë nëse ato të tanishmet nuk i japin rezultatet e dëshiruara në menaxhimin e krizës shëndetësore të shkaktuar nga koronavirusi.

Vlerësim i ri për vendosje të orës policore të cilat do të nënkuptonin rritje të kohëzgjatjes së orës policore dhe shkurtim të punës së objekteve hotelierike, siç tashmë ishte paralajmëruar do të bëhet nesër, ndërsa Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe ministri Filipçe konsiderojnë se në fillim të kësaj jave do të kemi rezultate nga ora policore e cila ishte sjellë para 11 ditëve.

“Pritjet janë se pas vendosjes së ndonjë mase të caktuar rezultatet do të shihen pas shtatë deri 10 ditë, që domethënë se në fillim të javës së ardhshme presim rezultate nga vendosja e orës policore prej orës 22 deri në 5 të mëngjesit”, tha dje Filipçe pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit.

Qëllimi i vendosjes së saj, shtoi, ishte që të kufizohet lëvizja dhe komunikimi i të rinjve të cilët intensivisht komunikojnë në parqe, hapësira publike, e madje edhe shtëpi pas mbylljes së objekteve hotelierike sepse ishte konstatuar se ata janë një nga transmetuesit kryesorë të virusit.

“Këtë e shohim nga grupet e moshave të pacientëve të sapodiagnostikuar. Ne jemi të gatshëm që të vendosim masa të reja restriktive nëse ato të tanishmet nuk japin rezultate të dëshiruara”, potencoi Filipçe.

Theksoi se tani është veçanërisht i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm sistemi i koordinimit të përditshëm, komunikimi me të gjithë faktorët relevantë në menaxhimin e krizës, duke pasur parasysh se me të vërtetë është kjo valë shumë e fuqishme me Kovid-19 me të cilën tani përballemi.

Ndalesa për lëvizje të popullatës në periudhën kohore prej orës 22 deri në orën 5 të mëngjesit ishte sjellë më 10 mars.