Nga loja me letra mes Thaçit dhe Kurtit te mandatimi për një ditë

Shpërndaje

Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi kishin nisur një lojë me letra.

Ata i drejtuan njëri-tjetrit disa letra – njëri me propozime e tjetri me refuzime. Thaçi i bënte ftesë Kurtit që të takoheshin për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, por ky i fundit gjente arsyetime që të mos takohen.

Letra e parë e presidentit të atëhershëm shkoi në adresë të fituesit të zgjedhjeve më 27 dhjetor të vitit 2019, por u refuzua shpejt nga ky i fundit me arsyetimin se është jashtë Prishtinës.

Thaçi nuk u dorëzua dhe e nisi edhe një letër tjetër në të njëjtën adresë.

Ai tha se pasi nuk kishte pranuar asnjë arsyetim për mungesën e tij e ftonte që të takoheshin në presidencë në orën 20:00, po në datën 27 dhjetor të vitit 2019, pasi paraprakisht iu refuzua takimi i orës 13:30.

“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte”, ishte përgjigja e të parit të Vetëvendosjes i cili ishte ankuar se ftesat fillimisht i kishte parë në portale dhe më pas i kishin shkuar në zyre.

Kurti e refuzoi edhe për herë të tretë Thaçin që e kishte ftuar për një takim në ditën e Vitit të Ri 2019 në ora 10:00.

Por, këtë herë Kurti duket se u bë më i arsyeshëm dhe i propozoi që të takoheshin më 6 janar. Madje, këtë herë ia la Thaçit në dorë që ta caktojë vetë ai orën e takimit.

Dhe…përfundimisht takimi mes dy politikanëve kundërshtarë mes vete ndodhi veç pas tri refuzimeve.

Një histori krejt ndryshe ndodhi sot kur gjithçka – nga kërkesa për ta propozuar mandatarin për kryeministër deri te letra ku u propozua emri i Albin Kurtit për shef qeverie – ndodhi brenda ditës.

Ushtruesi i detyrës së presidentit Glauk Konjufca, vetëm pak minuta pasi mori këtë detyrë, i shkroi Albin Kurtit – si fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit – të cilit i kërkoi që ta propozojë mandatarin për kryeministër.

Kjo letër shumë shpejt mori përgjigje nga ana e partisë së Albin Kurtit të cilët kërkuan seancë të jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Kurti 2./klankosova