Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut: Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike

Shpërndaje

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë publikuar sot një letër, të cilën ia kanë dërguar Ambasadorit Shqiptar në Shkup, Fatos Reka, para më shumë se dy javësh. Qëllimi i letrës, ka qenë që ambasadori dhe shteti shqiptar të reagojnë në lidhje me shtrembërimin e fakteve historike, fyerjeve dhe ofendimeve ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, në librat shkollore në Maqedoninë e Veriut. Siç thuhet në njoftimin e opozitës shqiptare, edhe pse kanë kaluar më shumë se javë, asnjë përgjigje në adresë të tyre dhe asnjë reagim tjetër nuk është bërë nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup dhe nga Shteti Shqiptar.

“Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Koalicionit ASH-AAA.

Reagime nuk pati as në kohën kur u paraqitën tekstet ofenduese, ku shqiptarët dhe Shqipëria cilësoheshin si okupatorë, se shqiptarët në Maqedoni kanë prejardhje turke, çerkeze dhe rome. Aktivistët e opozitës shqiptare në një aksion para Ministrisë së Arsimit në Shkup, dogjën faqet e librit me përmbajtje ofendues, ndërsa Ministres së Arsimit, Milla Carovska i dhuruan një libër nga autor i huaj, për historinë e fiseve ilire.

“Kanë kaluar më tepër se dy javë nga dita që i kemi nisur letër Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka, në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shtetit dhe popullit shqiptar, për t’i paraqitur qëndrimet e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, si dhe për të kërkuar veprim nga shteti shqiptar në lidhje me këtë temë. Fatkeqësisht, edhe përkundër kësaj nisme por edhe obligimeve të dala nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, na duhet të konstatojmë se Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Andaj, marrë parasysh interesin publik të kërkesës sonë, sot po publikojmë letrën të cilën ia kemi dërguar më 19 shkurt Ambasadorit Reka, ku i kemi kërkuar që të ngrit këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Siç kishte shkruar Aristoteli në Etikën e Nikomakut, “miqtë dhe vërteta na janë të dashur njësoj, por është detyrë e jona t’i japim përparësi së vërtetës.” Nisur nga ky parim, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë e ka për detyrë si vend mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut që të trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve. Gjetja e një zgjidhjeje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve është në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore që do duhej të promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Aleancës dhe Alternativës.

Letra e plotë, të cilën Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Aternativa ia kanë dërguar Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, është e nënshkruar nga dy kryetarët e koalicionit, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi.

Po ua përcjellim letrën, të plotë dhe pa ndërhyrje:

Po ju drejtohemi në emër të opozitës shqiptare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe si Koalicion Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, për të kërkuar veprim të shtetit shqiptar në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave të tjera të shtetit dhe popullit shqiptar, të kthyera në vëmendjen e opinionit mbarëshqiptar pas debatit që kemi nxitur rreth përmbajtjes së librit të Gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazit të reformuar.

Pa hyrë në detajet e manipulimeve dhe të pavërtetave historike, të përhapura nga ky material, me të cilat besojmë se tanimë jeni i njoftuar, vlen të theksohet se, përpos fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, narrativi shovinist që ai mbart në vete cënon drejtpërdrejt edhe vetë shtetin shqiptar, i cili paraqitet si okupator i Maqedonisë së Veriut, ndërsa populli shqiptar përshkruhet si pushtues dhe autor i shumë atrociteteve ndaj popullatës vendase maqedonase, duke mohuar në të njëjtën kohë autoktoninë e shqiptarëve në këto anë.

Siç e dini, ky material nuk është rast i izoluar. Ka edhe dhjetëra, ndoshta qindra, shembuj të tjerë të gjuhës së urrejtjes ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb në materialet shkollore dhe akademike në përdorim në vendin tonë. Përkundër heshtjes së partive shqiptare në pushtet gjatë dy dekadave të fundit, ne si opozitë shqiptare kemi hapur debat shoqëror përmes protestës dhe kemi kërkuar nga ministria përgjegjëse tërheqjen e librit të Gjeografisë, në bazë të legjislacionit në fuqi, por kjo nuk mjafton.

Problemi është shumë më i gjerë dhe ne vlerësojmë se duhet të bëhet rishikimi i tërësishëm i materialeve shkollore dhe akademike të botuara nga institucionet publike dhe të financuara nga tatimpaguesi. Andaj, nisur nga kjo gjendje si dhe nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë duhet ta thotë fjalën e saj karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Prandaj kërkojmë nga ju që do të ngrini këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare dhe të kërkoni adresimin e saj në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve, për të gjetur zgjidhje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, që do duhej t’i promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.