Ora policore, Filipçe: Do të zgjasë dy javë/ Taravari: Në vend të orës policore, siguroni vaksina

Shpërndaje

Do të rikthehet ora policore në Maqedoninë e Veriut. Me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI) në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Republikë së Maqedonisë do të shqyrtohet rekomandimi për orë policore prej orës 22:00 deri në 05, dhe do të zgjasë 14 ditë. Propozimi për kthimin e orës policore erdhi si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me virusin korona, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, siaps të cilit me këtë zvogëlohet presioni ndaj Spitaleve.

“Ka pasur një rritje të rasteve të reja në javët e fundit. Goditja nuk është si në fillim të nëntorit, por pavarësisht, ne duam të jemi gati. Ka grumbullime pas orës 22, në objekte hotelierike të cilat nuk i respektojnë masat, grumbullime në ambiente të hapura. Dëshirojmë të zvogëlojmë presionin ndaj spitaleve”, deklaroi ministri Filipçe.

Ish ministri i shëndetësisë, aktualisht kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, shprehet kundër orës policore. Ai tha se çdo rekomandim që ka ardhur nga Komisioni për Sëmundje Infektive ka qenë i gabuar. Shtoi se në këtë kohë krize kur shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme mezi mbijetojnë, nuk do të kishte qenë mirë rikthmimi i orës policore.

Taravari i bën thirrje Komisionit dhe ministrisë së shëndetësisë që në vend të masave shtesë shtrënguese, të sigurojë vaksina për imunizim të popullatës.

I pyetur për masat eventuale në lidhje me objektet gastronomike, ministri Filipçe tha se për momentin mjaftojnë protokollet aktuale. Nëse rekomandimi nesër kalon në Qeveri, ora policore do të fillojë nga dita e mërkurë.