Reagon psikologia për ndalimin e burkës në Zvicër: Në fenë islame detyrim është vetëm shamia (Video)

Shpërndaje

Zviceranët votuan pro ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik, duke përfshirë burken ose nikabin të cilat vishen nga gratë muslimane. Rezultatet e referendumit të së dielës ishin shumë të afërta 51.2% pro ndalimit me 48.8% kundër.

Propozimi u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë e cila bëri fushatë me parulla të tilla si “Stop ekstremizmit”. Grupi kryesor islamik zviceran tha se kjo ishte “një ditë e errët” për muslimanët. “Vendimi hap plagë të vjetra, zgjeron më tej parimin e pabarazisë ligjore dhe i dërgon një sinjal të qartë përjashtimit pakicës muslimane,” tha Këshilli Qendror i Muslimanëve në një deklaratë, duke shtuar se do të kundërshtonte vendimin në gjykatë.

Qeveria Zvicerane është shprehur kundër ndalimit duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte atë që veshin gratë.
Edlira Dyrmishaj, psikologe thotë se Evropa pretendon se ka tolerancë, por ajo është shumë delikate dhe e brishtë. Duke iu referuar reagimeve të Amnisty Internacional, ajo thotë se rezultati i referendumit në Zvicër është cilësuar dështim objektiv për të drejtat e grave.

Sipas saj në fenë islame nuk është e detyrueshme mbajtja e burgës por bëhet fjalë vetëm për mbajtjen e shamisë ose siç quhet ndryshe hixhab. Ajo tha se burka nga ana tjetër nuk është kulturë e emigrantëve pasi në Shqipëri ka ekzistuar që në kohën e mbretërisë.

“Dje kam marrë rastësisht një mesazh nga një zonjë nga Zvicra që as nuk e njoh, po përmes internetit ka marrë numrin tim dhe më pyeti nëse a kemi gjynah para Zotit nëse i heqim burkat. I thash qetësohu, nuk bëhet fjalë që të hiqni këtë veshjen siç e kam unë (shaminë) por bëhet për mbulimin e fytyrës që nuk është obligim si shamia (hixhabi) dhe ajo u lumturua”, u shpreh znj. Dyrmishaj.