Snopçe: Maqedonasit nuk merren me numrin e tyre, brengë e kanë numrin e shqiptarëve

Shpërndaje

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, deklaroi në “Rruga drejtë…” se një numër i madh i diasporës heziton të regjistrohet nga fakti se kanë humbur besimin në politikat e BDI-së dhe Entit Shtetëror të Statistikave, i cili institucion sipas tij historikisht ka qenë diskriminues për shqiptarët. Snopçe gjithashtu theksoi se pala maqedonase nuk merret me numrin e tyre, por brengë kanë numrin e shqiptarëve, gjegjësisht 20 për qindëshin.

“Sipas analizave tona se pse njerëzit janë rezistues për tu regjistruar, janë tre faktor kyç. Faktori i parë është, mosbesimi ndaj Entit Shtetëror të Statistikave, faktori i dytë është mosbesimi ndaj partisë në pushtet BDI-së dhe tek faktori i tretë është problemi me softuerin…Pse shqiptarët nuk kanë besim ndaj Entit Shtetëror për Statistika? Sepse historikisht ky institucion ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve dhe mënyra e diskriminimit vazhdon edhe sot e kësaj dite në atë institucion. Parashikimi i shqiptarëve është mosbesues edhe ndaj politikave të BDI-së madje ka njerëz që thonë unë nuk regjistrohem për shkak se duhet të legjitimoj politikën e BDI-së. Natyrisht që ne themi se ky proces nuk ka lidhje me BDI-në, po ka lidhje me interesin kombëtare shqiptarë, që ne të regjistrohemi të gjithë, ti japim ato të dhëna dhe ti demaskojmë… sepse pala maqedonase asnjëherë nuk merret me numrin e maqedonasve në këtë shtet, por struktura ekstreme të tyre merren çdoherë me numrin e shqiptarëve. Pra brengën e kanë te numri i shqiptarëve, dikush thotë nuk janë 20 për qind…Unë ju bëj thirrje mërgimtarëve, dua t’i inkurajoj që të regjistrohen ”, tha Halil Snopçe, deputet i ASH-së.